E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ben Qimja” në gjyq për akuzën e vrasjes

 

Armand Bajrami

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë dosjen penale në ngarkim të Arben Isufajt, biznesmenit fierak të njohur ndryshe dhe me emrin “Ben Qimja”. Dosja që është regjistruar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, bën fjalë për implikimin e biznesmenit Isufaj në ngjarjen e ndodhur në gusht 2002 në Tiranë, ku tre persona të armatosur vranë me armë zjarri Pirro Koçiun. Sipas organit të akuzës, ndaj biznesmenit Isufaj rëndon akuza e “vrasjes me paramendim”. Shorti elektronik në Gjykatën e Tiranës zgjodhi gjyqtaren Fatmira Hajdari për gjykimin e kësaj çështjeje. Ndërsa në ditët në vazhdim pritet të caktohet data e seancës së parë gjyqësore. Sipas prokurorisë, prova më e fortë që do të faktojë fajësinë e Arben Isufajt në ngjarje janë shenjat e gishtave të gjetura në një nga armët e krimit. Pas një analize të specializuar të kryer në Londër, gjurma ka rezultuar se përputhet në masën 90 për qind me shenjat e gishtave të së pandehurit  Arben Isufaj.
Mësohet se eliminimi fizik i Pirro Koçiut shtatë vjet më parë ka ardhur pas një hasmërie të vjetër mes tij dhe familjes së biznesmenit të njohur me emrin “Ben Qimja”. Edhe pse fillimisht u akuzua nga drejtësia si bashkautor në ngjarje biznesmeni fierak u zhvesh nga akuza dhe i “shpëtoi” prangave. Por në qershor të vitit të kaluar Isufaj u arrestua teksa po drekonte me disa biznesmenë në një restorant pranë Kopshtit Botanik në Tiranë. Ndalimi nga policia u krye pasi më 13 shkurt 2008 Gjykata e Tiranës kishte dhënë për të në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e vrasjes së Pirro Koçiut. Ngjarja për të cilën do të përballet me drejtësinë Isufaj ndodhi në 12 gusht të vitit 2002 në rrugën “Him Kolli” në Tiranë. Pirro Koçiu ishte duke dalë nga shtëpia e tij në një pallateve të kësaj zone, kur është gjendur nën zjarrin e pistoletave të dy personave. Viktima ka tentuar t’i largohet plumbave, por në hyrjen e pallatit ai është penguar nga një person i tretë. Më pas Koçiu është qëlluar më një plumb në kokë nga njëri prej ndjekësve, çka i ka shkaktuar vdekje të menjëhershme. Pak minuta më vonë policia gjeti dy pistoleta të hedhura rreth 30 metra larg vendngjarjes. Për ngjarjen në fjalë shkalla e parë e gjyqësorit vendosi në korrik të vitit 2008 dënimin me 21 vjet burg për Fatlum Kadian, për të cilin u faktua pjesëmarrja në vrasjen e Koçiut.

Akuzat në adresë të biznesmenit Isufaj
Një “lumë” akuzash rëndojnë mbi Arben Isufin edhe nga drejtësia italiane. Përgjimet telefonike të antidrogës së Torinos, e cila po hetonte trafikun e kryer nga pjesëtarë të “bandës së Lushnjës”, nxorën në pah edhe emrin e Isufajt. Sipas autoriteteve italiane, ai i mundësonte sasi narkotike nga Vendet e Ulëta për pjesëtarë të bandës në Itali. Përgjimet nga italianët kanë nxjerrë konkluzionet se ai ka pasur lidhje direkte me Enver Dondollakun, krahun e djathtë të Aldo Bares.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›