Alarmi, Kombinati i Aluminit në Mal të Zi tejndot liqenin
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Lëndët kimike dhe ato inerte po shkatërrojnë dita-ditës liqenin e Shkodrës. Alarmin hodhi presidenti i Forumit Ndërkufitar të Liqenit të Shkodrës dhe ish rektori i Universitetit, Prof. Mahir Hoti. Ai është i pari autoritet që flet hapur mbi situatën e krijuar dhe kërkon masa konkrete dhe jo thjesht projekte sensibilizuese. Hoti paralajmëroi se bilanci i dëmeve nga faktorët ndotës do jetë i madh në të ardhmen, nëse nuk ndërhyhet shpejt në zgjidhjen e situatës kritike që është krijuar. Sipas tij, në këtë liqen është ulur ndjeshëm sasia e peshkut. Një ndër faktorët kryesorë të ndotjes së liqenit është Kombinati i Aluminit në afërsi të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricë. “Problem kryesor vazhdon të mbetet ndotja nga kombinati i aluminit në afërsi të Podgoricës. Ky problem është diskutuar shumë herë, por fatkeqësisht akoma nuk ka gjetur zgjidhje. Derdhjet e oksideve të aluminit që bëhen direkt në liqen, krijojnë ndotje të mëdha kimike. Por nuk është ky i vetmi faktor. Më shqetëson fakti që liqeni i Shkodrës është kthyer në një gropë të madhe të hedhjes së mbeturinave dhe inerteve”, u shpreh Hoti.
Ka dy 2 vjet që përflitet për një projekt të Bankës Botërore dhe miratimin e një fondi prej rreth 4 milionë dollarësh, ku priten ndërhyrje të dimensioneve të mëdha. Por deri tani asgjë nuk është bërë konkrete, ndërsa liqeni po pëson ndotje në nivele alarmante.
“Me projektin e Bankës Botërore, pritej të kishte operacione konkrete dhe të efektshme për pastrimin dhe rregullimin e situatës në këtë ekosistem të jashtëzakonshëm dhe me vlera të gjithanshme, por mbetemi gjithmonë në pritje të kësaj ndërhyrjeje”, u shpreh më tej Hoti. Si pasojë e ndotjes së liqenit të Shkodrës, evidentohet një ulje e ndjeshme e numrit të turistëve në zonat përreth saj. Kjo rënie sipas specialistëve do vazhdojë nëse nuk reagohet menjëherë ndaj ndotjes që ka pushtuar këtë liqen. “Turizmi është shumë i ndjeshëm. Nëse ka papastërti, plehra e ndërtime jashtë standardeve, turisti largohet pasi ky ai kërkon ambientin e pastër dhe të shëndetshëm. Nuk është fluksi i pritshëm, por ndërkohë nuk mund të them se ka mbaruar gjithçka për liqenin e Shkodrës, prandaj duhet të bëhet më shumë përpjekje për pastrimin sa nuk është vonë, në të kundërt humbjet do jenë shumë të mëdha”, u shpreh Hoti. Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan, i ngjan një kënete të stërmadhe, si rrjedhoje e derdhjes së ujërave të zeza, ndërtimeve pa leje, dhe hedhjes së mbeturinave pa kriter nga banorët e zonës, baret e restorantet.