Rama në Librazhd për energjinë
TIRANË- Çështjet e energjisë, ujit dhe papunësisë kanë qenë në qendër të bisedave që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar me banorë të rrethit të Librazhdit. Gjatë rrugëtimit të tij nëpër fshatrat e Librazhdit Rama ka kontaktuar nga afër problemet që shqetësojnë banorët e këtyre zonave ku natyrisht mungesa e energjisë elektrike shkonte deri në 20 orë në ditë. Nisur nga gjendja e tillë e mjerueshme, në takimin e zhvilluar në fshatin Qafëdrizë, komuna Cermenikë, Rama ka theksuar nevojën për një politikë ndryshe, e cila të jetë për qytetarët dhe jo për pushtetarët. "Jam i bindur, që të ndajmë së bashku këtë revoltë njerëzore për faktin se 20 orë në errësirë në mes të Evropës janë të patolerueshme. 20 orë në errësirë për fëmijët, që duhet të mësojnë gjuhën e nënës, 20 orë errësirë për më të moshuarit, të cilët nuk kryejnë dot as shërbimet më minimale mbas një jete me kaq shumë sakrifica dhe stërmundime janë të patolerueshme.
Prandaj le ta shporrim këtë politikë të vjetër për t'i dhënë jetë një politike të re. Një politike të njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit. Një politike të dritës, një politike të dijes, një politike të punës, një politike të prodhimit, një politike të Shqipërisë evropiane", - u shpreh Rama. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, kryetari i PS-së do të zbresë përsëri në Lushnjë, ku dhe do të marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste. Një nismë e re kjo selisë rozë, për të çuar vendimmarrjen politike të partisë pranë qytetarëve.