Tatimet, në 6 muaj u grumbulluan 70.6 miliardë lekë
Të ardhurat nga tatimet në 6 muajt e parë të këtij viti arritën në shifrën e 70.6 miliard lekëve. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, u shpreh dje gjatë analizës 6-mujore të punës së kësaj administrate, se të ardhurat dhe besimi po rriten, si rezultat i një transformimi të shpejtë që po bëhet në veprimtarinë e administratës tatimore. "Këtë 6-mujor të ardhurat janë realizuar në shumën 70.6 miliard lekë, nga 66.4 miliard lekë të programuara ose në masën 106.3 për qind”, - u shpreh Sefgjini. Sipas kreut të tatimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë arkëtuar në buxhetin e shtetit rreth 12.8 miliard lekë më shumë ose 122.1 për qind. “Një tregues i rëndësishëm është rimbursimi faktik i paguar tatimpaguesve, në shumën 854 milion lekë, ose rreth 309 milion lekë më shumë se në 6 muajt e parë të vitit 2007", - theksoi Sefgjini. Përsa i përket deklarimit dhe pagesës “on-line”, Sefgjini u shpreh se në 6 muaj janë shkarkuar nga interneti 34.920 deklarata, si dhe janë bërë 5800 deklarime elektronike.
Kasat fiskale, gati pajisja e subjekteve me regjistruesit elektronik
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje gjatë analizës së punës së administratës tatimore për 6-mujorin e parë të këtij viti, se shumë shpejt i gjithë biznesi do të pajiset me kasa fiskale. Kreu i financave publike kërkoi nga administrata tatimore përshpejtimin e proçedurave për të implementuar marrëveshjen me 5 kompanitë që kanë fituar kontratën për vendosjen e kasave fiskale, në një afat sa më të shkurtër. Sipas tij, me anë të këtyre pajisjeve elektronike fiskale, bëhet e mundur që xhiro të evidentohet në mënyrë elektronike (on-line) dhe çdo transaksion të jetë në serverat e organeve tatimore. Kompanitë që kanë fituar tenderin për kasat fiskale do të bëjnë po vet dhe instalimin e tyre në çdo subjekt privat, si dhe më pas do të kujdesen edhe për mirëmbajtjen. Gjithçka është parashikuar në tenderin që Ministria e Financave organizoi para pak kohësh për këtë qëllim. Çmimi i një kase do të kushtojë 100 euro dhe do të mund të paguhet edhe me këste. Ndërkohë, bizneset të cilat kanë në përdorim kasat e vjetra, do të mund t’i përdorin ato vetëm nëse janë të rregullta, pas kontrollit përkatës.
16 Korrik 2008