E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhen zjarret me ndihmën e Italisë dhe Greqisë, 6 veta në pranga



Zjarret e rëna në Vlorë dhe në Fier kanë sjellë arrestimin e 6 personave, ku vetëm mbrëmë u bënë dy ndalime, të cilët rrezikojnë deri në 10 vjet burg nëse shpallen fajtorë. Për të përballuar situatën në shuarjen e vatrave të zjarrit, kanë ofruar ndihmë edhe autoritetet e Greqisë dhe Italisë. Mjetet kanë ndërhyrë në zonën e Orikumit dhe të Semanit, ku flakët dhe dëmet ishin më të mëdha. Po dje, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Alfred Olli ka paraqitur situatën e zjarreve, ku sipas tij, janë regjistruar 10 vatra të tilla.
Arrestimet Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se u arrestuan mbrëmjen e së hënës shtetasit; Qerim Cenoaliaj, 72 vjeç dhe Jorgo Gjikoka, 70 vjeç, nga Dukati i Vlorës, të cilët akuzohen si shkaktarë të zjarrit që dogji pjesërisht fabrikën e ujit “Dukati”, dy banesa si dhe një sipërfaqe të madhe me ullinj dhe një stallë bagëtish. Sipas zëdhënësit Klodian Branko, me të njëjtën akuzë janë arrestuar nga policia e Fierit edhe 2 persona të tjerë, banorë të fshatrave Shënepremte dhe të Rribanit të Mallakastrës. Fiqiret Sulzotaj, 48 vjeç dhe Dine Abazaj, 58 vjeç, i cili akuzohet se i ka vënë flakën një sipërfaqeje prej 12 mijë metrash katrorë të mbjellë me pishë. Zëdhënësi Branko konfirmoi se policia e Fierit ka përpiluar materialet për ndjekje penale në gjendje të lirë për disa punonjës të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor në Mallakastër për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Po mbrëmë policia e Vlorës ndaloi dy autorë të tjerë, të dyshuar për vënien e dy zjarreve të cilat dogjën rreth 15 dynymëve tokë, të mbjella me ullinj. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Vlorës, Rezarta Leli, “Klement Rapushi dhe Bari Lamaj, respektivisht 24 vjeç dhe 49 vjeç, u ndaluan, në përfundim të hetimit paraprak për dy raste zjarresh, që u shfaqën gjatë ditës së martë në fshatrat e tyre, në Oshëtimë dhe Trevllazër, 10 dhe 15 km larg qytetit. Rapushi akuzohet për veprën penale “të shkatërrimit të pronës pa dashje”, për shkak se, gjatë kohës që pastronte nga barërat e një parcele me ullinjë, pronë e tij, flakët u përhapën duke djegur një sipërfaqe prej 5 dynymësh. Ndërkohë, i ndaluari tjetër, Lamaj, akuzohet për veprën penale “të shkatërrimit të pronës me dashje”, në një kullotë, në fshatin e tij Trevllazër, gjë që u shoqërua me djegien e një sipërfaqeje prej 10 dynymësh, e mbjellë me pemë frutore.
Situata
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Alfred Olli, tha dje se situata gjatë 36 orëve të fundit në disa qarqe të vendit ka qenë vërtet problematike dhe janë konstatuar 10 vatra zjarri, të cilat janë të përqendruar në qarqet e Fierit, të Vlorës, në Kavajë dhe në Lushnjë". Olli tha se, zjarret në Bashkinë e Orikumit dhe në komunën Ndërmenas kanë qenë më të fuqishëm, si pasojë e rënies së tyre në pyje. Olli bëri ditur se zjarri në Vlorë është shuar deri rreth mesditës, ndërkohë që mbrëmë është shuar edhe zjarri në grykëderdhjen e Semanit, në komunën e Ndërmenasit. “Në zonën e Orikumit kemi ndërhyrë me dy helikopterë të ardhur nga Greqia, me të cilët kemi nënshkruar një marrëveshje bilaterale. Ndërsa të martën, në grykëderdhjen e Semanit po operon një avion italian, i cili ka kryer 8 fluturime operative deri tani në zonë”, - tha Olli. Shërbimi zjarrfikës ka operuar me 15 mjete, të cilat mbrëmë kanë arritur të shuajnë flakët.
Drejtori Olli ka theksuar se me kalimin e pyjeve dhe kullotave në varësi të bashkësive vendore, përgjegjësia e pushtetit lokal në menaxhimin e situatës, ashtu edhe në përfshirjen dhe në organizimin e njerëzve është shumë e madhe”..
Ndihma
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave informoi të martën mbi situatën e shkaktuar nga zjarret e rëna një ditë më parë në disa zona pyjore të vendit, në bazë të dhënave nga drejtoritë e Shërbimit Pyjor në rrethe. Zëdhënësi Tom Therçaj, tha se situata më kritike ka qenë në Seman dhe në Darëzezë, zonat turistike në rrethin e Fierit, ku ka pasur 4 vatra zjarri. Sipas tij, për shuarjen e dy vatrave aktive po operon nga ajri një avion tip “canadair”, i ardhur dje në mëngjes nga Italia. Përfaqësuesi diplomatik i Romës në Tiranë Saba D’Elia tha se “avioni është duke vepruar në zonë në bashkëpunim edhe me autoritetet shqiptare të emergjencave civile. Në terren janë dy ekuipazhe italiane që alternohen me njëri-tjetrin për ti lejuar avionit të operoje pa ndërprerje që në këtë mënyrë të bëjë të mundur shuarjen e zjarrit në zonë. “Përkrahja që qeveria italiane po i jep qeverisë shqiptare është fryt i një marrëveshjeje të nënshkruar një vit më parë ndërmjet dy shteteve, që në rast të fatkeqësive natyrore” – tha Saba D’Elia për mediat
Ndërsa burime zyrtare të Ministrisë së Mjedisit pohojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar zjarre në rrethet e Korçës, Kavajës, Shkodrës, Pukës, Mallakastrës dhe Kurbinit, të cilat janë shuar plotësisht. Flakët e zjarrit, që përfshinë dje kullotat e fshatit Jergucat, rreth 20 km larg Gjirokastrës, u vunë shpejt nën kontroll nga forcat zjarrfikëse dhe banorët e zonës. Dy mjete zjarrfikëse morën pjesë në operacionet e shuarjes së zjarrit, ku u përfshin edhe banorët e zonës.

TË ARRESTUARIT
Klement Rapushi, 24 vjeç – Vlorë
Bari Lamaj, 49 vjeç – Vlorë
Qerim Cenoaliaj, 72 vjeç – Vlorë
Jorgo Gjikoka, 70 vjeç – Vlorë
Fiqiret Sulzotaj, 48 vjeç – Mallakastër
Dine Abazaj, 58 vjeç – Fier

Kryebashkaku i Orkumit: “Do të kompensojmë dëmet e zjarreve”

VLORË - Në Bashkinë e Orikumit është krijuar dje një komision, që do të kryejë procesin e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në këtë njësi administrative, nga zjarret që u shfaqën një ditë më parë në kodrat e kësaj qyteze dhe në Fushë Dukat, rreth 20 km larg Vlorës. Kryetari i Bashkisë, Kanan Braho, tha se "në këtë komision janë përfshirë specialistë të fushave dhe institucioneve të ndryshme, duke përfshirë edhe ata të shërbimit zjarrfikës". Braho sqaroi se pas përfundimit të procesit të vlerësimit të dëmeve, do të shikohen mundësitë për t'u ardhur në ndihmë familjeve që u dëmtuan më tepër. "Në zonat që u përfshinë nga flakët dy ditë më parë u dëmtuan tre banesa, një në Orikum dhe dy në Fushë Dukat dhe një fabrikë e prodhimit të ujit të pijshëm", nënvizoi Braho.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›