E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqimet e skaduara, Ministria e Bujqësisë në 6 muaj asgjesoi 10407 kuintal



Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka bllokuar dhe asgjesuar 10407 kuintal ushqime jashtë standardeve për konsum, me vlerë 94 milionë e 358 mijë lekë. Kjo sasi është sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara në gjashtë muajt e parë të vitit 2008, në tregjet e vendit. Zëdhënësi i MBUMK-së, Rexhep Shahu, tha dje se, “gjatë kësaj periudhe inspektorët e ushqimit kanë realizuar rreth 17.483 kontrolle në njësi tregtare, magazina e dogana për produkte të ndryshme ushqimore ose mesatarisht 2.914 kontrolle në muaj si dhe kanë vendosur 65 gjoba me vlerë 1 milionë e 267 mijë lekë”.
Duke cilësuar sigurinë ushqimore si një nga prioritetet e MBUMK-së, Shahu tha se, me strukturat e inspektoriatet e saj, ministria kontrollon produktin ushqimor, cilësinë e standardin e tij në prodhim e në treg, por nuk kontrollon kushtet higjieno-sanitare në të cilat tregtohet ky produkt. “Këtë e bëjnë bashkitë e komunat dhe inspektoriatet higjieno-sanitare që nuk duhet të shesin përgjegjësitë”,- tha Shahu.
“Fillimi i një biznesi”, Vlora qyteti më i përshtatshëm në rajon

Qyteti i Vlorës kryeson mes 22 qyteteve të Evropës Juglindore përsa i takon kriterit "fillimi i një biznesi", sipas Raportit më të fundit të Bankës Botërore, "Të bësh biznes në vendet e Evropës Juglindore 2008", që u prezantua në Bitola (Manastir), të Maqedonisë. Zyra e Bankës Botërore në Tiranë, përmes një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se Raporti "Të bësh Biznes në Evropën Juglindore 2008" mbuloi 22 qytete në shtatë ekonomi: Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe Serbi, duke kaluar përtej qyteteve më të populluara për të krahasuar qytetet brenda të njëjtës ekonomi dhe qytetet e rajonit. Ai përqëndrohet në katër drejtime: fillimi i një biznesi, marrja e licencës, regjistrimi i pasurisë dhe zbatimi i kontratave. Raporti i BB-së vëren se lehtësia e të bërit biznes ndryshon shumë midis qyteteve të Evropës Juglindore. Ky raport është realizuar me mbështetjen financiare të IFC-së, Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, dhe Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Ekonomike, të Zvicrës (SECO).

BSH: “Ja ndërhyrjet në tregun valutor në 3 muajt e parë të vitit”

Banka e Shqiperisë paraqiti dje raportin "Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008". Sipas BSH-së, ndryshimi i situatës së likuiditetit në fund të tremujorit, kërkoi ndryshimin e kahut të operacioneve të Bankës Qëndrore në drejtim të injektimit të likuiditetit. Për të tërhequr likuiditetin gjatë dy muajve të parë të 3-mujorit BSH-ja përdori marrëveshjen e riblerjes me maturim 1-javor, mesatarisht 4.04 miliardë lekë në javë; marrëveshjen e riblerjes me maturim 1-mujor në tre raste, mesatarisht 0.9 miliardë lekë dhe marrëveshjen e riblerjes me maturim 3-mujor në tetë raste, mesatarisht 0.4 miliardë lekë. Gjithashtu, BSH-ë tërhoqi në mënyrë të përhershme 2 miliardë lekë, duke ulur portofolin e saj të bonove të thesarit të qeverisë, bënë të ditur burime të kësaj Banke. Sipas këtyre burimeve, për injektimin e likuiditetit gjatë muajit të fundit të tremujorit BSH-ja ka përdorur instrumentin e marrëveshjes së anasjelltë të riblerjes me maturim 1-javor, mesatarisht 1 miliard lekë në javë.

“Alpha Bank”, kredi të re për blerje makinash

“Alpha Bank”, një prej subjekteve financiare private që operon në tregun bankar shqiptar, kohët e fundit është duke ofruar shërbime të reja për klientët e saj. Kjo bankë në përputhje me nevojat e tregut, duke filluar nga data 14 korrik 2008 ofron “Alpha Kredi për Makina”. Ky shërbim është një lloj kredie e re konsumatore e ofruar pikërisht nga “Alpha Bank Albania” që ofron një mënyrë të lehtë dhe ekonomike për të blerë një makinë të re ose të përdorur. Me këtë kredi çdo klient mund të financojë deri në 70 për qind të vlerës së automjetit të ri me vendosjen e vet automjetit të blerë si garanci, ose 90 për qind të vlerës së automjetit me garanci hipotekore. Por ajo që është më e rëndësishme është fakti se, kjo kredi i aprovohet çdo klienti vetëm brenda 2 orëve nga momenti i aplikimit për të. Banka krijon dhe mundësinë për të zgjedhur mes interesave fiks ose të ndryshueshëm me euro apo me lekë.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›