E Diel, 1 Nëntor 2026

“Target” asgjëson 2310 rrënjë Cannabis në fshatrat e Shkodrës



SHKODËR - Një operacion anti-Cannabis, i nisur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka përfunduar me asgjësimin e mbi 200 bimëve narkotike, ndonëse nuk është regjistruar asnjë kultivues i prangosur. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se dje në mëngjes, rreth orës 04.00, u organizua në shkallë të gjerë, plani operacional i koduar me emrin “Target”, i cili mobilizoi 75 forca policore, të ndara në 11 grupe, me 14 automjete, si dhe 1 gomone të Policisë Kufitare. Sipas zëdhënëses Fatbardha Çelepia, në aksionin ku morën pjesë forcat e Komisariatit të Shkodrës dhe ato të FNSH-së, u bë e mundur identifikimi dhe asgjësimi i 2310 rrënjëve bimë Cannabis Sativa. Në shënjestër të këtij operacioni ishin fshatrat e komunës së Gurit të Zi, si dhe një pjesë e komunës së Shllakut. Njoftimi zyrtar pohon se po punohet për kapjen e autorëve që kanë kultivuar këto parcela me lëndë narkotike. Pak ditë më parë u arrestuan 3 persona në Berat, 1 tjetër u shpall në kërkim në Krujë, ndërsa katër të moshuar po ndiqen në gjendje të lirë në Gjirokastër. Në Shkodër ende nuk ka asnjë person të prangosur për kultivim të lëndëve narkotike.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›