E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimi bujqesore, fermeri shqiptar me i diskriminuari ne rajon



Ervin Koçi

Megjithëse mundohet dhe sfilitet më shumë se homologët e tij në vendet fqinje, fermeri shqiptar është më i “persekutuari” kur vjen fjala për të vjelë prodhimet nga toka. Jo për faktin se toka “nuk e do” fermerin tonë, por sepse kushtet me të cilat ai e punon dhe i bën hyzmetin asaj, mbeten më primitivet në të gjithë Europën. Faktin tronditës e jep raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë, “Ekonomia botërore”, i cili ka analizuar “gjatë e gjërë” sektorët kyç të ekonomisë së vendit tonë dhe ato të vendeve të tjera të rajonit dhe të botës. Nga ky raport del se: “një fermer shqiptar prodhon mesatarisht sa ¼ (një e katërta) e një fermeri të vendeve të tjera të rajonit tonë dhe sa 1/20 (një e njëzeta) e një fermeri të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian”. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se, “bujqësia është një nga sektorët me kontributin më të dobët në ekonominë e vendit dhe se rritja në këtë sektor është më e ulët se rritja mesatare ekonomike e vendit”. Më konkretisht: prodhimi i përgjithshëm bujqësor gjatë vitit 2007 u rrit me rreth 1.5 për qind krahasuar me një vit më parë dhe këtë vit mendohet se do vazhdojë e njëjta shkallë rritjeje në bazë të përllogaritjeve të deritanishme. Prodhimi i nëndegës së bujqësisë, që zë rreth 74 për qind të prodhimit të përgjithshëm bujqësor, u rrit me 0.8 për qind ose rreth katër herë më pak se gjatë vitit të mëparshëm, do me thënë vitit 2006. Kontributin kryesor në rritjen e prodhimit në lëmin e bujqësisë gjatë vitit të shkuar e ka dhënë blegtoria, në dallim nga viti 2006 kur ndikimin kryesor në rritje e dha prodhimi i lartë i frutave.

Shkaktarët e prapambetjes

Nga konstatimet e raportit por edhe nga të dhënat e institucioneve të tjera shtetërore përfshi edhe Ministrinë e Bujqësisë, fermeri shqiptar sot rezulton si më i varfëri jo vetëm në rajon por edhe në Europë. Ai akoma e punon tokën dhe kryen pjesën më të madhe të punëve në bujqësi me mjete primitive që kanë shekuj që janë zhdukur nga përdorimi. “Nuk mungon as parmënda e tërhequr me kafshë, e cila përdoret gjerësisht në të gjithë vendin nga fermerët për punimin dhe lëvrimin e tokës”,-thuhet në raport. Arsye të tjera janë edhe sistemi i keq ose i amortizuar i vaditjes së tokave, ai i kullimit në rastet e stinëve me reshje, si dhe çmimet e shtrenjta të plehrave kimike, farërave dhe karburantit për mjetet e mekanizuara. Të gjitha këto elemente rrisin në mënyrë të ndjeshme koston e punimit dhe më pas të prodhimeve që merren nga toka bujqësore, duke bërë që në jo pak raste fermeri të heqë dorë nga punimi i saj duke e lënë djerë dhe duke u larguar për në emigracion. Një prej arsyeve të gjendjes së vështirë në bujqësi është edhe copëzimi i tokës bujqësore, ku mesatarisht, sipas BSH-së, një fermë ka jo më shumë se 1.1 hektarë tokë. Në anën tjetër, bujqësia jonë është e detyruar të konkurrojë në një treg të vështirë, pasi vendet e tjera kanë subvencione të mëdha shtetërore për bujqësinë sidomos Greqia si vend i BE-së.

Niveli i prodhimit

Megjithëse në tërësi rritja më e madhe vjetore është regjistruar në prodhimin e frutikulturës, pesha e kësaj kulture në prodhimin e përgjithshëm bujqësor është më e ulëta. Blegtoria ka ruajtur të njëjtën peshë në prodhimin bujqësor që prej vitit 2004 (56 për qind). Prodhimi në sektorin e agroindustrisë u rrit me rreth 3.3 për qind, me një ritëm gati tri herë më të ulët se norma e rritjes gjatë vitit 2006 dhe se rritja mesatare vjetore e tre viteve të fundit. Vendi ynë, megjithëse një vend bujqësor dhe blegtoral, është njëkohësisht edhe një importues i produkteve bujqësore dhe blegtorale, çka tregon për një nivel të ulët të zhvillimit të këtij sektori. Vetëm mish nga importi vjen masivisht në një sasi që zë 100 milionë dollarë në vit.

Mungesa e zhvillimit, ulet me 2 herë niveli i kredive për fermerët

Fakti që bujqësia shqiptare është ndër sektorët më të dobët të ekonomisë e dëshmon edhe qasja e këtij sektori me sistemin bankar. Kreditë e dhëna për bujqësinë kanë rënë nga 4,2 për qind të totalit të kredive për ekonominë që ishte në vitin 2005, në vetëm 1,2 për qind të totalit të kredive për vitin 2007. Pra, bujqësia në vitin 2007, ka marrë nga sistemi bankar vetëm 1,2 për qind të kredive që ky sistem ka dhënë gjatë atij viti. Të dhënat bëjnë të ditur se zëra të rëndësishëm të ekonomisë, si për shembull shërbimet që janë ndër kontribuesit kryesorë, kanë ulur sasinë e kredive që kanë marrë nga 15 për qind e totalit të gjithë kredive që ishte në 2005 në 11.3 për qind në tremujorin e parë të këtij viti. Bujqësia ndërkohë mbetet sektori që ka pësuar rënien më të madhe të kredive që ka marrë. Në shpërndarjen e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë vazhdojnë të ruhen të njëjtat karakteristika. Rreth 80 për qind e saj mbështet me financim sektorët e ndërtimit, industrisë dhe tregtisë. Në kredinë për investime janë vërejtur norma gjithnjë e më të ulëta rritjeje, një fenomen ky i shfaqur që gjatë vitit të kaluar.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›