E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 300 mijë automjete në qarkullim rrisin kërkesën për karburante



Megjithëse çmimet e karburanteve në tregjet e vendit janë rritur, mbi 300 mijë automjete në përdorim, kanë shtuar kërkesën për naftë dhe benzinë. Çmimet e karburanteve pësuan gjatë javës që kaloi një tjetër rritje në tregun shqiptar, për shkak të rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Një litër naftë, u shit edhe dje me 170 lekë, ndërsa benzina 168 lekë. Kërkesa për karburante në tregun shqiptar ka ardhur në rritje nga viti në vit, pasi sot numurohen rreth 300 mijë automjete. Po kështu në rritje ka ardhur edhe kërkesa për llojet e nënprodukteve të naftës, si mazuti, solari etj, që po përdoren në sektorin rezidencial për ngrohje, në serat bujqësore, në sektorin e shërbimeve, etj. Gjatë muajit Qershor çmimi i naftës shënoi një rritje prej 6.8 për qind, ndërsa ai i benzinës, me 4.6 për qind. Kjo rritje e çmimit të karburanteve, u shoqërua me rritjen e çmimeve të transportit urban me 25.8 për qind, ndërsa ato të transportit interurban, me 3 për qind. Që nga Janari 2008, çmimet e karburanteve po ndjekin një rritje të përmuajshme, e cila llogaritet në mbi 50 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë zhdoganimet e karburanteve në 6 muajt e parë, gati kanë ruajtur trendin e një viti më parë. Kështu, gjatë periudhës janar-qershor 2008, u zhdoganuan 178 mijë e 530 mijë ton karburante, me një rritje prej 849 tonë më shumë, se e njejta periudhë e vitit 2007. Parashikimet e specialistëve të energjetikës thonë se tregu shqiptar do të rrisë nga viti në vit kërkesat për karburantet, në vartësi të rritjes vjetore ekonomike, sipas PPB-së. Sipas strategjisë Kombëtare për Hidrokarburet, në vitin 2015, nevoja për to parashikohet që të jetë 42 për qind më shumë, krahasuar me vitin 2005.

Ankandi, BSH hedh në shitje 14.5 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 6 dhe 12 mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 14.5 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12 mujor nga 31 kërkesat konkurruese të paraqitura u pranuan 28 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 7.522.690.000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 6.912.690.000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 8.25 për qind, yield-i minimal i pranuar është 8.1 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 8.15 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 8.17 për qind. Këto bono maturohen më datë 15.07.2009. Për bonot me maturim gjashtëmujor u pranuan 10 nga 12 kërkesat konkurruese të paraqitura, dhe u shitën 7.685.000.000 lekë nga 7.795.000.000 lekë që ishte vlera e kërkuar. Ndërkohë që Yield-i maksimal i pranuar është 7.53 për qind, yield-i minimal është 7.38 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.44 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51 për qind. Këto bono do të maturohen në 20.01.2009.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›