E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi fals në Rinas, autori në kërkim

TIRANE – Kanë mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës materialet hetimore të dosjes së hapur pas alarmit të rremë për vendosjen e një bombe në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë. 

Dosja penale, e cila është formuluar nga strukturat e Antiterrorit dhe Sektori i Rendit dhe Sigurisë Publike janë marrë në shqyrtim nga prokurorët e kryeqytetit, të cilët ia referuan këtë rast veprave penale: “kanosje”, “njoftim i rremë në organet e rendit publik” dhe “përhapja e informacioneve e lajmërimeve që shkaktojnë panik”. Veprimet e para operacionale të policisë së kryeqytetit por edhe hetimet që u zhvilluan më pas kanë bërë të qartë se, lajmërimi ka qenë veçse një alarm fals pasi kontrolli i imtësishëm në ambientet e aeroportit nuk gjeti asnjë lëndë apo objekt i dyshimtë. Sipas burimeve nga organi i akuzës, hetuesit kanë arritur të identifikojnë një person 46-vjeçar, të dyshuar si autor i alarmit fals në Rinas. Sipas burimeve hetimore mësohet se Prokuroria ka autorizuar tashmë një urdhër ndalimi për këtë person, i cili pritet të merret në pyetje lidhur me qëllimet e tij, pasi të vihet në pranga nga shërbimet e policisë. “Sipas të gjitha informacioneve të administruara prej grupit të hetimit në polici dhe në Prokurori, mësohet të jetë konfirmuar tashmë fakti se nuk bëhet fjalë për person me tendencë terroriste, por për një banor nga kryeqyteti, i cili besohet të ketë pasur motive banale që e kanë çuar drejt krijimit të alarmit fals. Katër ditë më parë, një telefonatë anonime në sallën operative të policisë pretendoi vendosjen e një bombe në aeroportin e Rinasit. Thirrja telefonike sipas hetimeve, është bërë nga një kabinë që ndodhet pranë Liceut Artistik në Tiranë nga një person i dyshuar, 46-vjeçar banues në Tiranë. Policia menjëherë ushtroi kontroll në aeroportin e Rinasit, i cili u mbajt i bllokuar për më pak se 30 minuta dhe pasi nuk u gjet asnjë objekt i dyshimtë gjithçka iu rikthye normalitetit. Nga verifikimi i personit të dyshuar hetuesit hedhin poshtë mundësinë, që ai të ketë tendenca terroriste në veprimtarinë dhe sjelljen e tij. t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›