E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa na leverdis që të marrim një kredi në bankë, kushtet dhe interesat



Ervin Koçi

Marrja e një kredie bankare nga konsumatorët shqiptarë në 5 vitet e fundit është konceptuar si zgjidhja e problemeve ekonomike që nuk mund të merrnin fund. Por pikërisht tani, në dy vitet e fundit, kur bankat private u treguan tepër “agresive” në politikën e tyre të reklamimit dhe të lehtësimit të kredidhënies, filluan dhe problemet e para. Shqiptarët panë se që të marrësh një kredi, përveç dokumentacionit të gjerë dhe garancive të forta, jo gjithçka ishte e lehtë dhe e zgjidhshme. Një kredi, edhe pse mund të merret në një bankë, më pas duhet kthyer, madje edhe disa fish më shumë (me përqindje bankare në bazë të kursit valutor). Por mentaliteti shqiptar se “kredia është një lloj borxhi që nuk ka problem se kur e kthen”, nisi të “digjet”, pikërisht kur kësaj nisën t’i shtohen edhe përqindjet, normat e luhatshme të interesave bankare në bazë të monedhës që është marrë kredia, si dhe në fund edhe regjistri i kredive bashkë me elementët e sigurisë. Shumë të tjerë e panë veten keq kur në një moment u gjendën edhe para drejtësisë edhe ligjit për mospasjen e mundësisë së likuidimit të kredisë në kohën e duhur. Kjo i detyroi një pjesë të madhe të klientëve që të mendonin se “të marrësh një kredi nuk ta leverdis”. Po kështu detyroi edhe bankat private që të mendoheshin dy herë për zgjerimin e mëtejshëm të portofolit të kredisë, si dhe nga ana tjetër që të merrnin masa për t’u siguruar ato para të huazuara klientëve. Megjithatë, me nisjen e bërjes së gjerave transparente, u panë edhe anët pozitive të një kredie. Këtë e thonë me qindra subjekte biznesi që kanë marrë një kredi, qoftë edhe konsumatore, dhe pasi e kanë vënë në punë i kanë parë edhe leverdinë.

Kreditë e leverdishme

Në grupin e kredive të leverdishme hyjnë pa dyshim kreditë konsumatore kryesisht për biznes. Ato janë në masa të vogla (deri në disa mijë euro), nuk kanë një përqindje të lartë interesi, kanë afat shlyerje optimal dhe norma të lehta marrjeje. Interesat që vendos banka për këtë kredi mund të jenë të luhatshme, ose fikse. Zakonisht bankat vendosin një interes për riskun e kredisë dhe këtë ia shtojnë interesat e bonove të thesarit, ose të Euroborit për kredinë në euro, dhe Liborit për ato në dollarë. Për të përfituar këtë kredi klientit i duhet që të ketë një shumë të vërtetuar të ardhurash mujore, që është të paktën sa trefishi i këstit që caktohet nga ana e bankës. Kur për kredinë është vendosur edhe hipotekë, ndërsa përcaktohen të gjitha kushtet e të ardhurave dhe dorëzanisë, interesat paraqiten më të favorshëm. Si për të gjitha llojet e kredive, klientit i kërkohet nga ana e bankës dokumentacioni që vërteton të ardhurat nga puna, nga bizneset, pronat e paluajtshme dhe qiratë që ai mund të ketë. Njëkohësit, bankat e nivelit të dytë, ndër dokumentet që kërkojnë për pranimin e këtij financimi, kërkojnë edhe gjendjen gjyqësore. Kreditimi nga ana e bankave edhe për këtë lloj kredie preferohet që të jepet në lekë, pasi një pjesë e mirë e klientëve që kërkojnë kredi pranë tyre i kanë të ardhurat në monedhën vendase. Por specialistët e kreditit në bankat e nivelit të dytë bëjnë të ditur se kredia në valutë dhe veçanërisht ajo në euro, mbetet më e preferuara nga ana e bankave të nivelit të dytë.

Kredia për pushime

Një nga produktet që ofrohen nga ana e bankave të nivelit të dytë për klientët, është kredia për pushime. Kjo kredi mbetet një alternativë për të gjithë ata që nuk kërkojnë të shpenzojmë kursimet për pushime, apo që kërkojnë një formë të re financimi. Kredia për pushime jepet thuajse në të njëjtat kushte me kredinë konsumatore, ndërsa financimi i saj shkon deri në 20 mijë dollarë për raste të veçanta, përkundrejt edhe garancive pasurore. Për këtë kredi, kërkohet garanci pasurore kur shuma e kërkuar nga ana e klientit të bankës kap nivele të larta. Periudha e maturimit për këtë kredi është afatmesme, duke u shtrirë në një periudhë kohore prej 3 vitesh. Për shuma kredish që janë në nivele të ulëta, pra në disa mijëra euro, klienti mund të lërë si garanci edhe pajisje të ndryshme, ndërsa bankat edhe për kredi kërkojnë një dorëzanës për të dalë garant në kthimin e kredisë. Por bankat ofrojnë mundësi të ndryshme midis kontratave që janë individuale për klientët edhe në raste kur ato nuk kanë garanci pasurore.

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›