Kredia, BSH-ja kërkon shtrëngimin e rregullave për klientët
Pas një rritjeje të shpejtë të portofolit të kredisë së keqe në sistemin bankar vendës, erdhi dhe masa e parë me karakter shtrëngues nga ana e Bankës së Shqipërisë. Me anë të një rregulloreje të veçantë, Autoriteti Qendror vendosi që të marrë një sërë masash për të garantuar ato kredi që jepen për personat që kanë një marrëdhënie specifike me bankën, si edhe për të gjithë klientët e bankës që marrin kredi dhe që janë të lidhur me njërin-tjetrin. Rregullat e reja të BSH-së janë strikte dhe parashikojnë që në të gjitha rastet të mos ketë përjashtime në lënien e garancisë pasurore për klientët e bankës. Nga rregulli për të lënë në garanci pasuri të paluajtshme 140 për qind të vlerës së kredisë tashmë nuk përjashtohet askush. Edhe ata që punojnë në banka, nuk mund të kenë asnjë favorizim për marrjen e kredisë. Rregullorja e re kërkon që të minimizojë riskun e kredisë në rast të pamundësisë për kthim nga ana e klientëve. Nga ky rregull nuk përjashtohen as administratorët e bankave. Administratorët e bankës, sipas politikave dhe procedurave të vetë bankës për personelin (stafin) e saj lidhur me procesin e kreditimit, nuk mund të përfitojnë kredi që tejkalojnë shumën 8.000,000 lekë ose kundërvlerën e saj në monedhë të huaj.
Tregues të kredisë
1. Hua gjithsej mars 2008, 309.552.000.000 lekë
2. Hua në ndjekje mars 2008, 31.341.000.000 lekë
3. Hua në ndjekje në përqindje mars 2008, 10.12%
4. Hua në ndjekje dhjetor ‘07, 23.215.000.000 lekë
5. Hua në ndjekje, në përqindje dhjetor 2007, 8.07%
Sa të rrezikuara janë bankat private nga kreditë e këqija
Gjithnjë e më shumë, kompani dhe individë deklarojnë se nuk mund të shlyejnë më këstin mujor të kredisë, si pasojë e vështirësive ekonomike të shkaktuar nga rritja e taksave dhe rritja e çmimeve. Kjo është hera e parë pas pastrimit të sistemit bankar nga kreditë e këqija të akumuluara gjatë periudhës 1992-1998, që kredia me probleme kapërcen nivelin prej 10 për qind të totalit të kredive. Totali i kredive me probleme, në muajin Mars 2008 arriti në 256.9 milionë euro, ose rreth 67 milionë euro më shumë se në dhjetor 2007. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e BSH-së, kreditë e këqija po shkojnë drejt 4 për qind të portofolit, ndërsa ato me probleme kanë kaluar 10 për qind të kreditit të gjithë sistemit. Nga ana e specialistëve të sistemit bankar bëhet e ditur se, ende nuk dihet se sa është në të vërtetë rreziku i mbartur nga një portofol kredie që llogaritet në rreth 3 miliardë euro. Mungesa reale në vlerësim, vjen pasi pjesa e dërrmuese e kredive janë dhënë gjatë vitit 2006 dhe 2007 dhe janë kredi të reja. Ato ende mbeten për t’u vlerësuar për riskun që mbartin në kthim. Nga kredia në ndjekje, ose me probleme, që në total shkon në 401 milionë dollarë, rreth 120 milionë dollarë janë kredi e keqe, ose ajo që nuk mund të mblidhet më nga ana e bankave. Por veç kredive, tashmë të klasifikuara si me probleme, Banka e Shqipërisë ngre edhe një problem tjetër, që ka të bëjë më informacionin jo të plotë që jepet në ketë drejtim nga ana e bankave të nivelit të dytë, duke fshehur në një pjesë të konsiderueshme riskun që mund të vijë nga ky aktivitet. Për një pjesë të specialistëve, metodat e klasifikimit dhe riklasifikimit mund të jenë një instrument në duart e bankave për të fshehur realitetin. Hyrja e grupeve të mëdha bankare, ka rritur presionet tek operatorët e tjerë për më shumë përpjekje në drejtim të zënies së tregut. Shpeshherë kjo bëhet në dëm të cilësisë së portofolit. Po kështu, të mos harrojmë se edhe bilancet e kompanive nuk janë të sinqerta, duke shtuar një problem më shumë në këtë drejtim.
14 Korrik 2008