E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi, amerikanët 25 milionë euro për INSIG

 

Fabiola Çela

Ka përfunduar shitja e 61 për qind të aksioneve të Kompanisë së Sigurime INSIG. Burime nga Ministria e Financave kanë deklaruar dje se ka përfunduar procesi i garës për privatizimin e INSIG. Fituesi i kësaj gare mësohet të jetë shpallur kompania American Reserve Life Insurance. Në total kjo kompani ka ofruar plot 41 milionë euro për privatizimin e INSIG-it. Nga këto, 25 milionë euro është shuma e ofruar vetëm për 61 për qind të aksioneve që kishte në pronësi qeveria.
Privatizimi
Procesi për privatizimin e kësaj kompanie nisi në janar të vitit 2007 dhe kaloi në disa faza, ku paraqitën interes dhe morën pjesë 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë për privatizimin e “INSIG” –ut. Nga këto 10 kompani në fazën finale morën pjesë vetëm tre kompani. Në dakordësi me BERZH –in dhe IFC, procesi u konsultua nga BNP Paribas ndërsa me tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare KPMG, për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitje nga kompania “INSIG”. Sipas burimeve nga kjo ministri, në fund të procesit ofertën fituese e siguroi kompania amerikane American Reserve Life Insurance, e cila ofroi një çmim prej 25 milionë eurosh për 61 për qind të aksioneve që kishte në pronësi qeveria. Sipas financave kjo vlerë është 2 milionë euro mbi çmimin maksimal të vlerësuar nga KPMG ose 3.5 milionë euro nga çmimi që kishte përcaktuar qeveria. Përfundimi i procesit “INSIG” –ut është në negociatat e fundit teknike me kompaninë fituese American Reserve Life Insurance. Këtë vit qeveria ka mundur të përfundojë disa nga proceset më të rëndësishme të privatizimit të kompanive shtetërore. Një ndër to ishte privatizimi i kompanisë së përpunimit të naftës ARMO. Pas kësaj u zhvillua tenderi për privatizimin e operatorit të sistemit të shpërndarjes (OSSH), fituesi i së cilës është kompanie ceke ‘CEZ’. Dhe si për ta mbyllur vitin, dje u shpall edhe kompania fituese e INSIG-ut. Pjesa më madhe e të ardhurave që do të merren nga privatizimi i këtyre kompanive, do të përdoren për investimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›