Pas tregtarit zhduket dhe një 25-vjeçare
ELBASAN - Policia e Elbasanit ka nisur verifikimin në pikat e kalimit kufitar, kryesisht me Maqedoninë dhe Malin e Zi për dy persona që rezultojnë të zhdukur. Sot bëhen 6 ditë që nga zhdukja e tregtarit të veshmbathjeve, 46-vjeçarit Hekuran Latellari. Ndërsa ditën e Bajramit, policia shpalli në kërkim edhe 25- vjeçaren Sheqere Kurti, nënë e dy fëmijëve. Bashkëshorti i saj 27 vjeç denoncoi zhdukjen e saj. Policia tha se ka nisur hetimet. Burimet nuk janë ende në gjendje të konfirmojnë nëse zhdukja e dy personave të denoncuar nga familjarët e tyre mund të ketë lidhje me njëra-tjetrën. Megjithatë ata nuk e përjashtojnë këtë dyshim, nisur nga fakti se në banesat e të dy të zhdukurve nuk janë gjetur pasaportat e tyre. Dyshohet se ata mund të jenë larguar në shtetet fqinjë, Maqedoni apo Mal të Zi, ku kalimi kufitar nuk e ka të nevojshme pajisjen me vizë. Hamide Kurti, vjehrra e të zhdukurës pohoi dje se nusja e djalit të saj iu kishte thënë se do të dilte të blinte një ëmbëlsirë për festë. Pas vonesës, ata ishin interesuar fillimisht në spital, duke menduar mos e kishte aksidentuar ndonjë makinë. Pasi folën edhe me njerëz të afërt, ata bënë denoncimin. a.k