E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi i OBSH, shndërrohet AH1N1

 

zirina llambro

Virusi i gripit të derrave ka pësuar mutacion, çka e rrit frikën për shfaqjen e tij në një formë mjaft agresive në vijim. Gjithçka e bën me dije Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo formë e re e virusit pas Brazilit, Kinës, Japonisë, Meksikës, Ukrainës, dhe SHBA, disa ditë më parë është zbuluar edhe në Norvegji. “Instituti norvegjez i shëndetit publik ka informuar OBSH për një  mutacion të zbuluar në tre viruse H1N1. Viruset janë të izoluara nga dy rastet e para të gripit pandemik, të cilët kanë humbur jetën dhe një pacient i cili është i sëmurë rëndë”, thuhet në deklaratën për mediat të OBSH. Për fat të mirë virusi me mutacion  mbetet ende sporadik, çka do të thotë se pjesa më e madhe e të prekurve kanë formën normale të tij. Nga sa bëjnë me dije ekspertët, virusi me këtë mutacion mbetet ende i ndjeshëm ndaj barnave antivirale, oseltamivir dhe zanamivir. Gjithashtu edhe vaksina, që është në dispozicion këshillohet për t’u mbrojtur prej tij, por frika rritet për ndonjë transformim të mundshëm çka mund ta bëjë virusin rezistent ndaj çdo medikamenti trajtues. “Rëndësia e mutacionit është duke u vlerësuar nga shkencëtarët në rrjetin e laboratorëve të OBSH. Ndryshimet në viruset në nivel gjenetik duhet të monitorohet vazhdimisht”, bën me dije OBSH. Sipas saj, rrjeti botëror i survejancës së gripit Global po monitorojnë nga afër viruset e gripit në mbarë botën dhe do të mbetet vigjilente për çdo ndryshim të mëtejshëm të virusit që mund të ketë rëndësi për shëndetin publik. Ndërkaq në vendin tonë numri i të prekurve nga gripi i derrave ka kapërcyer 165 persona. Vaksina nuk ka mbërritur ende, ndërkohë që rajoni së fundmi, Kosova dhe Maqedonia kanë marrë dozat e para. Strukturat tona shëndetësore nuk kanë dhënë deri tani ndonjë informacion për gjetjen e ndonjë virusi mutant, por vijojnë të monitorojnë situatën për të shmangur epideminë masive.  Situata mbetet problematike, pasi në qarkullim është edhe gripi stinor. Mjekët i bëjnë apel popullatës të mos neglizhojë shenjat dhe të drejtohet për këshilla te specialistët. Ndërkaq për përballimin e rasteve të shumta me virusin H1N1 apo me atë stinor, në spitalin infektiv në QSUT, prej disa ditësh është ngritur një pavijon i posaçëm. Ministria e Shëndetësisë po monitoron shkollat dhe kopshtet në të gjithë vendin, pasi risku për përhapje masive të virusit në to është i lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›