Ambasadorët në Tiranë: Pa viza në mesin e 2010
Ambasadorët e akredituar në Tiranë u shprehën dje se shqiptarët mund të lëvizin pa viza nga mesi i vitit të ardhshëm. Këtë deklaratë, ata e bënë gjatë një inspektimi së bashku me Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha në pikën e kalimit të kufirit në Qafë Thanë. Ambasadorja Maryse Daviet e Francës dhe Henk Van den Dool i Holandës vëzhguan funksiononin e sistemit TIMS, ndërlidhjen e tij me MEMEX dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, si funksiononin kamerat e instaluara të vëzhgimit, si funksiononin lexuesit optikë të pasaportave biometrike, etj. Ambasadorja Daviet vlerësoi se është bërë një progres i shpejtë në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve, që është një çështje kyçe për liberalizimin e vizave. “Çdo shqiptar do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave dhe ne presim të bëhen së shpejti hapa konkretë. Shpresojmë që liberalizimi i vizave të arrihet në mesin e verës së vitit të ardhshëm, - u shpreh ambasadorja franceze Maryse Daviet. Nga ana e tij, ambasadori holandez u shpreh se “ajo që ne shpresojmë është që misioni i Komisionit Evropian të konstatojë këtë progres dhe të japë sa më shpejt mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave”. Ndërsa ministri Basha theksoi se një rol të veçantë në përmbushjen e kritereve kanë pasaportat biometrike. “Shqipëria, sa i përket kohës që kur ka nisur lëshimin e pasaportave biometrike, por edhe për sa i përket ecurisë, është përpara edhe në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, sepse gjatë këtij takimi u informova nga të dy ambasadorët se vendet e tyre respektive kanë nisur prodhimin e pasaportave biometrike vetëm para pak muajsh”, theksoi Basha.