E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta Topi dhe Liri berisha: apel për të drejtat e fëmijëve

 

UNICEF përkujton në Tiranë 20-vjetorin e Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës. Konventa është traktati i të drejtave të njeriut më i ratifikuar në historinë njerëzore. Shqipëria e ka ratifikuar Konventën në vitin 1992. Dokumenti është një traktat i detyrueshëm i së drejtës ndërkombëtare. Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Zonja e Parë, Teuta Topi apeloi për përdorimin e fëmijëve në rrugë për të lypur. “Është e patolerueshme që akoma nëpër rrugët e qyteteve shihen fëmijë migjenianë që shtrijnë dorën duke kërkuar lëmoshë, ndërkohë që ata duhet të jenë në bankat e shkollës me bashkëmoshatarët e tyre. Në këtë rast institucionet duhet të jenë më të vëmendshme si ndaj tyre, por edhe ndaj prindërve që abuzojnë emocionalisht me fëmijët e tyre në rrugë”, tha Zonja e Parë. Ndërsa kreu i shtetit, Bamir Topi, tha se “Në këtë ditë historike do të dëshiroja të drejtoja një mendim të veçantë për disa grupe fëmijësh të privuar nga dashuria dhe ngrohtësia prindërore apo shoqërore, si jetimët, romët, etj., duke iu premtuar atyre përkujdesje të veçantë njerëzore dhe institucionale! U bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe kujdo që është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për një vëmendje më të madhe ndaj këtyre kategorive”, tha Presidenti. Në vijim vetë fëmijët e ftuar në këtë veprimtari u bënë protagonistë të një koncerti të larmishëm artistik, i cili u ndoq me kureshtje dhe kënaqësi nga të gjithë të pranishmit. Me rastin e kësaj dite, fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, me Presidente Liri Berishën organizuan një sfilatë me fëmijët në ambientet e Pallatit të Brigadave. Në fjalën e saj, zonja Berisha i njohu të gjithë me qëllimin human të kësaj veprimtarie në pamje të parë argëtuese dhe emocionuese, kërkoi të përcjellin mesazhin e ndjeshmërisë ndaj të sëmurëve talasemikë që kanë nevojë për gjak, kërkoi që të mos rreshtim për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, pasi çdo jetë njerëzore është e shtrenjtë dhe duhet mbrojtur. Ajo theksoi se fëmijët në gjuhën dhe mënyrën e tyre sot apelojnë për të drejtën më themelore “të drejtën për të jetuar”. Apeli i tyre është dhuroni gjak për jetën – për bashkëmoshatarët  tanë talasemikë”. Pas përfundimit të veprimtarisë, për të gjithë fëmijët u dhurua libri “Trupi ynë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›