E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi i OKB: Kanceri në Shqipëri po përhapet frikshëm

Tumoret në Shqipëri po përhapen frikshëm. Nga 4000 raste që diagnostikohen çdo vit, dy të tretat zbulohen në stad shumë të avancuar dhe nuk mund të kurohen.

zirina llambro

Çka do të thotë se vdekje të sigurta nga sëmundja në vendin tonë janë më shumë se 2600 raste. Alarmin këtë herë e ngrenë organizatat ndërkombëtare. Sipas  raportit të botuar në faqen e Agjencisë së Energjisë Atomike, të dhënat janë të tmerrshme po t'i referohemi popullsisë së vogël prej 3.6 milionë të vendit tonë. Sipas të dhënave, shkak i shtimit të rasteve me kancer, janë ndryshimi i mënyrës së të jetuarit, që pas regjimit të izoluar komunist. "Sëmundja ka nisur të përhapet për shkak të ushqimeve jo cilësore, pirjes së duhanit, ndotjes së mjedisit, aktivitetit fizik, stresit, por edhe shumë faktorëve të tjerë", nënvizon raporti. Që pas 1990, tumoret në Shqipëri janë vrasësi i dytë pas sëmundjeve të zemrës. Të shqetësuar për situatën e krijuar dy agjenci të OKB, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, IAEA, kanë bashkuar forcat për të ndihmuar vendin tonë. OKB-ja ka vendosur kontakte me mjekët shqiptarë të spitalit Onkologjik, për të ndihmuar në parandalimin e vdekjeve nga kanceri. Sipas raportit në fjalë, programi i Agjencisë së Energjisë Atomike të OKB-së, që merret me terapinë e kancerit në bashkëpunim me OBSH-në, ka ndihmuar Shqipërinë të përpilojë një draft për kontrollin kombëtar të kancerit.
Mungesa e trajtimit
Këto agjenci thonë se po ndihmojnë Shqipërinë edhe me asistencë teknike, si me makineri dhe pajisje, por edhe trajnime në sektorin e onkologjisë rrezatuese. Por, në fakt, realiteti flet për një teknologji mjaft të amortizuar dhe primitive, që spitali onkologjik u ofron pacientëve. Kobaldët janë të vetmet aparatura që ofrojnë radioterapinë për të sëmurët, në vendet e tjera të rajonit e të Evropës ato nuk përdoren më. Kjo, pasi janë zëvendësuar me aparatura moderne, që japin efekte të ndjeshme te pacientët. Nuk është ky i vetmi problem. Kriza e ilaçeve ka përfshirë spitalin Onkologjik që prej disa muajsh. Pjesa më e madhe e pacientëve i blejnë vetë ato, ndonëse janë shumë të shtrenjta. Sipas raportit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, që të reduktohet kanceri në Shqipëri, sugjerohet një fushatë sensibilizimi për parandalim dhe diagnostikim të hershëm. Por mjekët shqiptarë, të pafuqishëm për të ndryshuar situatën aktuale të krijuar në spitalet tona, kërkojnë ndihmë nga këto organizata me ekspertizë dhe pajisje që të parandalohen vuajtjet prej sëmundjes së rrezikshme. Të sëmurët nga ana e tyre jetën ua kanë lënë në dorë bluzave të bardha. Sipas mjekëve, çdo ditë në spital ekzaminohen 3-4 raste të reja. Pjesa më e madhe e tyre zbulojnë rastësisht sëmundjen, atëherë kur është shumë vonë. "Problem mbeten moshat e reja. Po shtohet shumë numri i grave e burrave fare të rinj që preken nga sëmundja. Shumë prej tyre edhe rreth 35 vjeç. Kjo tregon ndër të tjera për mungesë të kulturës për t'u diagnostikuar në kohë e për të kapur hershëm sëmundjen", shprehen mjekët onkologë. I pari me numrin më të lartë të vdekjeve që shkakton, renditet kanceri i mushkërive, i cli prek më shumë meshkujt si pasojë e duhanpirjes. Kanceri i gjirit te gratë është i dyti për numrin e rasteve.

Shkaktarë të kancerit

    Ndryshimi i stilit të jetesës
    Ushqimet jo cilësore
    Pirja e duhanit
    Ndotja e mjedisit
    Mungesa e aktivitetit fizik
    Stresi
    Mbetjet toksike dhe industriale
    Pirja e alkoolit
    Niveli i lartë i hormoneve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›