E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nuk është prekur asnjë kompetencë e presidentit

Kryeministri Sali Berisha ka mbrojtur ndryshimet në Kushtetutë si të nevojshme për vendin, duke shtuar se ato nxjerrin një qeveri të fortë, por edhe një opozitë të fortë.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë, pas miratimit në kuvend të ndryshimeve kushtetuese të hënën në mbrëmje, kreu i qeverisë theksoi se, kjo reformë është rrënjësore dhe jo e degëve. "Janë të mjerë ata që shprehen se, tani mandatet apo emrat e deputetëve i ka në dorë kryetari i partisë. Por asnjë deputet nuk ka hyrë në parlament pa dëshirën e kryetarit, me përjashtim të ndonjë deputeti të pavarur. Në çdo vend është kryetari dhe forumet e partisë që përcaktojnë listën e deputetëve", u shpreh kryeministri Berisha. Njëkohësisht sipas kreut të qeverisë, nuk ka ndryshuar asnjë kompetencë në nenet e zgjedhjes së presidentit. "Nuk është prekur asnjë kompetencë e asnjë personaliteti, d.m.th., e presidentit të Republikës. Neni ekzistues 104, i cili i njeh aktualisht kryeministrit të drejtën e mocionit të besimit, e shndërron parlamentin në këshill sovjetësh. Sipas këtij neni, kryeministri paraqet mocion besimi dhe, në rast se e humbet, parlamenti zgjedh një kryeministër të ri. Por parlamenti nuk është këshill sovjetësh", vijoi më tej kryeministri Berisha. Për sa i përket nxjerrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Kushtetuta, kreu i ekzekutivit bëri të ditur se ky është hapi i parafundit që bëhet në këtë drejtim, ndërkohë që sipas tij kur të krijohet besimi i nevojshëm në Ministrinë e Brendshme, do të jetë pjesë e këtij institucioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›