E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi i ekspertëve, kriza mund të kthehet në shtrenjtim të jetesës

 

Niveli i inflacionit mund të rritet sërish, çka do të thotë se çmimet e mallrave ushqimorë mund të rriten. Sipas ekspertëve, masat e marra nga qeveritë botërore për të luftuar krizën e përbotshme financiare, mund të prodhojnë një tjetër krizë, atë të inflacionit. Rreziku që bota të përballet me rritjen masive të çmimeve, tashmë është evident. Kështu është shprehur dje Brian Griffiths, nënkryetar i Goldman Sachs International dhe anëtar i Dhomës së Lordëve në Angli, gjatë një leksioni të mbajtur në një nga universitetet private të Tiranës. “Megjithë këto stimuj fiskale dhe monetare ka rrezik të hyjmë në krizën e rritjes së çmimeve. Banka e Shqipërisë duhet të ngrejë normat e interesit, po kjo do të sillte konflikt se do të akuzohej se nuk lufton recensionin”, u shpreh Griffiths. Ndërsa Louis Greig, drejtor menaxhimi në bankën JP Morgan, thotë se rritja e çmimeve mund të jetë dyshifrore. Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni për muajin prill ishte 1.9 për qind. Ndërkohë që tavani i vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria është 2 deri në 4 për qind. Gjatë krizës botërore të ushqimeve rreth dy vjet më parë, kur çmimet e mallrave ushqimorë në të gjitha vendet e botës pësuan rritje, niveli i inflacionit në vend e kaloi edhe cakun e vendosur nga qeveria. Kjo për shkak të rritjes masive të çmimeve të ushqimeve. Shqipëria është një vend importues neto, me një deficit tregtar që vitin e kaluar arriti në 327 miliardë lekë. Ndaj dhe ecuria e çmimeve në vend është e varur në një masë të mirë nga ajo në tregjet ndërkombëtare, çka u provua edhe gjatë krizës së çmimeve në verën e vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›