E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, koalicion me Apostolin dhe 17 parti

 

ADI SHKEMBI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e katër koalicioneve elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Nga 45 parti që janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, 32 prej tyre do të jenë të përfshira në koalicione me partitë e mëdha. Koalicioni me numrin më të madh të partive do të jetë ai i kryesuar nga Partia Demokratike, në të cilin janë të përfshira edhe 16 parti të tjera. Kështu veç partive parlamentare, si Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Aleanca Demokratike, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Lidhja Demokristiane e Nikollë Lesit, pjesë e koalicionit “Aleanca e Ndryshimit”, janë edhe 11 parti të tjera me një peshë të vogël në elektoral. Megjithëse kritik i këtyre katër viteve të qeverisjes së koalicionit të djathtë, ish-kreu i demokristianëve Nikollë Lesi ka nënshkruar sërish me PD-në. Ajo që bie në sy në këtë koalicion është edhe Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet e Gaqo Apostolit, ish-funksionar i lartë i Partisë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit. Gjithashtu pjesë e këtij koalicioni janë edhe Balli Kombëtar i Adriatik Alimadhit, Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim e Tahir Muhedinit. Prania e kësaj partie, që mbron interesat e komunitetit çam, në koalicionin e djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike bëri që jashtë kësaj aleance parazgjedhore të mbetej Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Koalicioni i majtë “Bashkimi për Ndryshim”, i cili do të kryesohet nga Partia Socialiste do të ketë në përbërjen e tij edhe katër forca të tjera politike. Ashtu si edhe në vitin 2007, pjesë e këtij koalicioni do të jetë Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit dhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos. Në të njëjtën situatë si në vitin 2005, pjesë e koalicionit paraelektoral të PS-së është edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Pas katër vite bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, partia e minoritetit grek nuk arriti dot një marrëveshje me këtë forcë duke nënshkruar me opozitën, ndërkohë që ndryshe nga katër vite më parë premtoi se nëse koalicioni i majtë nuk do të fitojë zgjedhjet, PBDNJ-ja nuk do të bëhet pjesë e qeverisë, por do të qëndrojë në opozitë. Gjatë këtij viti koalicionit të majtë iu shtua edhe grupimi G99 i drejtuar nga Erion Veliaj. Koalicioni tjetër i majtë është “Aleanca Socialiste për Integrim”, që kryesohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në përbërje të këtij koalicioni janë gjashtë forca politike. Ndryshe nga katër vite më parë, Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut e Ligoraq Karamelos që nënshkroi me PD-në, këtë vit është pjesë e koalicionit të drejtuar nga LSI-ja. Gjithashtu përkrah këtyre dy partive do të jenë edhe Partia Socialiste e Vërtetë ’91 e Petro Koçit dhe Partia e Gjelbër, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve si dhe Partia Toleranca e re e Shqipërisë. Koalicioni i katërt është “Poli i Lirisë”, i cili ka në përbërjen e tij vetëm një parti parlamentare, Partinë Demokristiane. Aleanca që drejtohet nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi ka në përbërje të tij LZHK-në e Dashamir Shehit si dhe disa forca të vogla politike. Ajo që bie në sy është që e vetmja parti parlamentare që nuk do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni parazgjedhor është Partia për Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës. 

Koalicionet

Aleanca e Ndryshimit

Partia Demokratike
Partia Republikane
Partia e Agrare Ambientaliste
Partia Aleanca Demokratike
Partia Aleanca për Demokraci & Solidaritet
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
Partia për Drejtësi & Integrim
Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare
Partia Lëvizja e Legalitetit
Partia Balli Kombëtar Demokrat
Partia Balli Kombëtar
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian
Partia Demokracia e Re Europiane
Partia Forca Albania
Partia e të Drejtave të Mohuara - e Re
Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
Partia Ora e Shqipërisë

Bashkimi për Ndryshim

Partia Socialiste e Shqipërisë
Partia Social Demokrate
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Partia Demokracia Sociale
Partia G99

Poli i Lirisë

Partia Demokristiane
Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Partia Bashkimi Demokrat
Partia Konservatore
Partia Rruga e Lirisë
Partia e Reformave Demokratike

Aleanca Socialiste për Integrim

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
Partia Socialiste e Vërtetë ‘91
Partia e Gjelbër
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
Partia Toleranca e Re e Shqipërisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›