OSBE: Vlerësimin e zgjedhjeve do e bëjmë ne
OSBE garanton Tiranën zyrtare për një vlerësim të drejtë të procesit zgjedhor, duke i dhënë në këtë mënyrë fund debatit për tërheqjen e kreut të vëzhguesve të ODIHR-it Audry Glover. Pak ditë pas letrës për ODIHR, ku kërkohej pikërisht ndryshimi i kreut të vëzhguesve për 28 qershorin, dhe takimit të Kryeministrit Berisha me Trojkën e BE-së, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së është shprehur se do të jetë pikërisht ky institucion i cili do të thotë fjalën e fundit. “Presidenti Soares u shpreh se është njohur me dokumentet e reja të identifikimit të shqiptarëve, të cilat janë vërtetë të shkëlqyera, si përsa i përket shkallës së sigurisë dhe nivelit bashkëkohor të tyre dhe se sinqerisht uronte që edhe qytetarët e vendit të tij të pajisen me dokumente të tillë identifikimi. Duke i premtuar Kryeministrit Berisha se do të bëjë çdo përpjekje, për të dërguar sa më shumë vëzhgues. Presidenti Soares theksoi se është Asambleja parlamentare e OSBE-së organi kompetent, i cili do të bëjë vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave pas përfundimit të takimit të kreut të qeverisë me zyrtarin e lartë të OSBE-së. Nga ana e tij Berisha e garantoi Presidentin Soares se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të realizuar zgjedhjet më të mira dhe më transparente të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri