Ministria: Kanë aplikuar 925 mijë qytetarë
Ministria e Brendshme ka reaguar dje pas kritikave të opozitës, lidhur me pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit, duke bërë publike të dhënat e fundit nga terreni. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja tha gjatë një konference për shtyp se deri tani kanë aplikuar më shumë se 920 mijë shtetas për dokumentin e ri dhe rreth 370 mijë prej tyre janë nga kategoria e shtetasve pa pasaportë për jashtë shtetit. “Deri ditën e djeshme, datë 14 maj, kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 925 000 qytetarë, 370 000 prej të cilëve i përkasin grupit të atyre pa pasaportë. Aplikimet ditore variojnë nga 19 000 në 20 000 qytetarë. Procesi është funksional në të gjithë vendin, megjithatë koncesionari po hap edhe 15 zyrat e fundit brenda datës 22 maj 2009, zyra të cilat në total kanë vetëm 6 232 zgjedhës pa pasaportë, pajisja e të cilëve realizohet brenda 10 ditësh”, u shpreh Konja, teksa i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar deri më 1 maj të paraqiten pranë zyrave përkatëse, për t’u pajisur me kartën e identitetit. “420 000 qytetarë i kanë tërhequr deri më tani letërnjoftimet e tyre. Në zyrat e aplikimit ka rreth 300 000 karta të prodhuara që duhet të tërhiqen nga qytetarët që kanë aplikuar. Ministria e Brendshme u kërkon qytetarëve që marrjen e kartës nga zyrat e aplikimit të mos e lënë për në ditët e fundit, pasi do të krijonin dyndje të panevojshme dhe vështirësi në shërbimin ndaj tyre”, vijoi më tej zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Në të njëjtën kohë ai i kërkoi opozitës që të mos spekulojë me procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit.
Shifrat e PS
16 rrethet janë shumë prapa me aplikimet:
Mat 29%,
Dibër 26%
Bulqizë 17%
Krujë 19.6%
Gramsh 26.7%
Peqin 20.7%
Përmet 26.8%
Ersekë 24.7%
Kukës 11%
Has 8.6%
Tropojë 6.2%
Lezhë 28.9%
Mirditë 24.8%
Pukë 24.3%
M.Madhe 14.2%
Delvine 29.6%
Në 50 komuna numri i aplikimeve të votuesve pa pasaportë është zero
Në 68 komuna numri i aplikimeve nuk e kalon shifrën 10;
Në 13 komuna nuk janë hapur ende stacionet e aplikimit.
Shifrat e Ministrisë
925.000 qytetarë kanë aplikuar për kartën e identitetit deri në 14 maj
370.000 qytetarë që kanë aplikuar deri në 14 maj janë pa pasaportë
20 mijë qytetarë aplikojnë çdo ditë për t’u pajisur me kartën e identitetit
15 zyra të reja po hap kompania koncensionare deri më 22 maj
6.232 qytetarë pa pasaportë ndodhen në zonat ku do të hapen zyrat e reja
420 000 qytetarë i kanë tërhequr deri tani letërnjoftimet e tyre
300 000 karta të prodhuara që duhet të tërhiqen nga qytetarët që kanë aplikuar