PS: PD provokoi ODIHR-in, synon manipulimin e zgjedhjeve si në ‘96
Partia Socialiste akuzon kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për njëanshmëri politike, pas letrës së dërguar misionit të ODIHR-it për tërheqjen e Audry Glover. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami tha dje gjatë një konference për shtyp se kreu i institucionit që menaxhon zgjedhjet ka shkelur rëndë kodin elektoral, duke hedhur sipas tij një hap të gabuar në deligjitimimin e KQZ-së. “Letra e Zotit Ristani është dërguar në kapërcim të kompetencave të KQZ dhe në shkelje të vendimeve të tij, pasi vetë KQZ me vendim ka miratuar akreditimin e zonjës Glover si drejtuese e ekipit të vëzhgimit të KQZ. Letra e dërguar nga kryetari Ristani në emër të KQZ për misionin e ODIHR, demostron qartë qëndrimin e njëanshëm dhe partiak të kryetarit të KQZ dhe të një personi tërësisht nën tutelën e kryetarit të PD Berisha. Veprimi i tij naiv e infantil dhe mbi të gjitha i kundërligjshëm është i dënueshëm”, u shpreh Islami. Sipas tij, ky veprim i maxhorancës dhe kreut të KQZ-së Arben Ristani përbën një provokim ndaj misionit të ODIHR, duke synuar manipulimin e zgjedhjeve si në vitin 1996. Në të njëjtën kohë, Partia Socialiste iu rikthye shqetësimit të saj për nivelin e ulët të aplikimeve në rang vendi, vetëm 30 ditë para afatit të fundit për t’u pajisur me kartat e identitetit për zgjedhjet e 28 qershorit. Islami tha se deri më 8 maj në gjithë vendin kanë aplikuar rreth 282 mijë votues pa pasaportë, çka përbën 38.8% të numrit total të kësaj kategorie. “Numri total i letërnjoftimeve të tërhequra është 377.103 dhe ose vetëm 44% e aplikimeve, ndërkohë që Ministria e Brendshme është e paaftë të na informojë se sa është numri i letërnjoftimeve të tërhequra nga votuesit pa pasaportë deri më sot, shifër e cila vlerësohet jo më e lartë se 125 mijë”, theksoi më tej përfaqësuesi i lartë i Partisë Socialiste. Islami tha se në 16 rrethe nga Dibra në Delvinë janë më pak se 30% e qytetarëve pa pasaportë që kanë aplikuar, teksa shtoi se në 50 komuna numri i aplikimeve është zero. “PSSH shumë shpejt do të bëjë publik vlerësimin dhe qëndrimet e saj për të gjithë çështjet shqetësuese, të tilla si pajisja me letërnjoftimin e votuesve, listat e votimit dhe administrimi i zgjedhjeve ku një rol të rëndësishëm zë KQZ, nëse vazhdon të vërejë mungesë progresi”, theksoi Islami. Sipas sekretarit për çështjet zgjedhore në PS “Ministri i Brendshëm jo vetëm nuk i përgjigjet kërkesave tona për një informacion për listën e shtetasve me pasaportë për jashtë por mesa duket përgatitet të japë arsyetime jo serioze për pamundësinë e dhënies së këtij informacioni”.