E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i Vlorës, vetëm një ofertë për koncesionin

 

Fabiola Çela

Vetëm një kompani ka kërkuar të marrë me koncesion portin e kontenierëve në pyllin e Sodës në Vlorë. Tenderi për dhënien me koncesion të portit u zhvillua dje në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Tenderi
Qeveria ka vendosur që të japë me koncesion portin e konteniereve në pyllin e Sodës në Vlorë. Ky port është parashikuar të jepet me koncesion për 35 vjet. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka hapur dje ofertën e kompanisë së vetme që mori pjesë në tender, pra të kompanisë ‘ZUMAZ AG’. Kjo është edhe kompania që ka iniciuar procesin, duke paraqitur propozimin e pakërkuar për këtë koncesion. Në bazë të ligjit të koncesioneve, kjo kompani do të përfitojë dhe nga bonusi prej 8 për qind të pikëve. Oferta e dorëzuar do të vlerësohet bazuar në kriteret e përzgjedhur të përcaktuar në dokumentacionin standard të kësaj procedure, të njohur nga subjekti konkurrues. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të përfundojë vlerësimin e ofertës së paraqitur brenda afateve dhe autoriteti do të ndjekë procedurat e parashikuara konform ligjit në fuqi. Koncesioni nëse do të kemi një fitues për këtë procedurë konkurruese do të jepet për një afat kohor 35 vjeçar. Sipas ligjit, kompania ka depozituar 2 për qind të vlerës së ofertës. Vlera e investimit për fazën e parë është parashikuar 92 miliardë lekë dhe i gjithë projekti kap vlerën e 182 miliardë lekëve. Në këtë mënyrë kompania zvicerane Zumax AG ka mundur të fitojë të drejtën për të ndërtuar portin e kontenierëve në pyllin e Sodës në Vlorë. Ndërtimi i portit të konteniereve është pjesë e një projekti energjetik që parashikohet të ndërtohet në Gjirin e Vlorës. Sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë, Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të kontenierëve të Mesdheut. Kjo zonë do të ketë së shpejti edhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme të transportit. Zumax AG është një kompani e themeluar në vitin 1989 dhe është e përqendruar në ndërtimin e terminaleve të naftës dhe pajisjeve ndihmëse për eksportin e naftës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›