E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi ne kuvend - Ushtarakët, miratohet ligji i ri për pensionet

 

Kuvendi i dha dje OK me 75 vota ligjit për pensionet suplementare të ushtarakëve. Duket se ushtarakët janë në fund për nga rëndësia për çdo qeveri, të majtë apo të djathtë qoftë. Ashtu si edhe në vitin 2005, edhe maxhoranca e djathtë, e kaloi ligjin e pensioneve të ushtrakëve ditën e fundit të mandatit të tij. Pas miratimit nga Kuvendi, ligji duhet të botohet në fletoren zyrtare dhe 15 ditë më pas hyn në fuqi. Ministria e Financave thekson se i ka gati paratë dhe ato janë parashikuar në buxhetin e shtetit të këtij viti. Për rreth 9985 përfituesit aktualë, kontributi mesatar mujor që paguhet nga buxheti është rreth 70 milionë lekë, ose 840 milionë lekë në vit. Efektet financiare të këtij ligji lidhur me pensionet suplementare të ushtarakëve që kanë përfituar pension pleqërie para vitit 1991 parashikohen rreth 45 milionë lekë në muaj, ndërkohë që do të vazhdojnë të trajtohen dhe rillogariten pensionet aktuale të parakohshme për 9602 ushtarakë dhe 382 ish-policë si dhe 4761 pensione suplementare të njohura aktualisht.
Paga referuese
Një ndryshim themelor dhe që ndihmon drejtpërdrejtë ish-ushtarakët dhe grupet e tjera të interesit, është njohja e pagave referuese. Aktualisht pas lirimit nga detyra ushtarakët trajtohen me pension të parakohshëm. Periudha nga data e lirimit deri në datën e mbushjes së moshës për pension, mbulohej nga shteti si periudhë e siguruar. Kjo në mënyrë që pas mbushjes së moshës së pensionit, ushtarakët të merrnin pension të plotë pleqëri. Deri tani për këtë periudhë të trajtimit të ushtarakëve, shteti paguante sigurime mbi pagën minimale. Pra, pas mbushjes së moshës, ushtaraku duhet të merrte pension duke llogaritur kontributet që kishte paguar në kohën e punës dhe kontributet minimale që i kishte paguar shteti për kohën e largimit nga detyra. Mesatarja e këtyre kontributeve i jep ushtarakut një pension më të vogël. Me ligjin e ri, edhe periudha e lirimit, pra periudha kur ushtaraku merr pension të parakohshëm, do të sigurohet sikur ai të jetë në punë. Pra me pagë referuese. Kjo do të sjellë rritjen e pensionit të pleqërisë kur ushtaraku të mbushë moshën e pensionit. Sipas ligjit, “e gjithë periudha kur ushtaraku është trajtuar sipas vendimeve të vitit 2002 dhe vitit 1996, do të sigurohet me pagesë sipas pagave referuese dhe jo me sigurim për pagën minimale. Gjithashtu kjo pagë, e cila do të indeksohet, mund të llogaritet, në rast se preferohet, edhe si pagë për efekt të rillogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe si pasojë edhe e pensionit suplementar”.
Pensioni i parakohshëm
Për pensionin e parakohshëm Ministria e Financave është e dyzuar. Në vendimin që ka shkuar në qeveri janë parashikuar dy mënyra. Varianti i parë për të përfituar pension të parakohshëm është për femrat 12 vjet shërbim dhe moshë 42 vjeç dhe për burrat 15 vjet shërbim dhe moshë 47 vjeç. Masa e pensionit të parakohshëm është 50 për qind e pagës referuese dhe 2 për qind shtesë për çdo vit tjetër shërbimi. Sidoqoftë, masa e shpërblimit me pension të parakohshëm nuk duhet të jetë më shumë se dy pensione bazë dhe shtesa jo më shumë se 20 për qind. “Periudha e trajtimit me pension të parakohshëm do të vazhdojë të njihet si periudhë sigurimi, për përfitimet e ardhshme të ushtarakëve nga ligji i sigurimit të detyrueshëm dhe kontributet do të llogariten e derdhen nga buxheti i shtetit në buxhetin e sigurimeve shoqërore, mbi bazën e pagës referuese”.

Kush përfiton
Ushtarakët
Policët
Garda
SHISH
Policia e Burgjeve
Zjarrfikësit
SHKB

Përfitimi deri në 38 mijë lekë, por ulet paga e punës
Kuvendi miraton edhe ligjin për pensionet e profesorëve

Kuvendi miratoi dje ligjin për pensionet e profesorëve dhe as/profesorëve. Ligji ndikon në rritjen e pensioneve dhe uljen e pagave për profesorët dhe asistent/profesorët kudo që ata punojnë. Shtesa që do të marrin mbi pensionin e të gjithë profesorëve arrin deri në katër pensione bazë, ose rreth 38 mijë lekë. Ligji do t’i shtrijë efektet nga data 1 janar 2010. Pra, pensionet e reja do të shpërndahen vitin tjetër. Masa e pensionit suplementar është 1.3 për qind e pagës mesatare referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “profesor” dhe 1.1 për qind të pagës mesatare referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “asistent profesor”. Sidoqoftë, përfitimi suplementar në asnjë rast nuk duhet të jetë më i madh se sa 4 pensione bazë pleqërie, dhe asnjëherë më i vogël se sa 6 për qind e pagës referuese. Por ligji zvogëlon pagat. Sipas ligjit të ri, për të përfituar pension suplementar, profesorët dhe asistentët që janë në punë duhet të paguajnë edhe kontribute shtesë. “Kontributet suplementare që paguhen në fondin e sigurimit suplementar shtetëror do të jenë; 3.5 për qind të pagës bruto mujore për të punësuarit në institucionet publike dhe 7 për qind të pagës bruto mujore për të punësuarit në institucionet jopublike”. E thënë më ndryshe, në rastin e një profesori që punon në shtet, për çdo vit pune që ai do të punojë pas miratimit të këtij ligji ai do të duhet të paguajë 3.5 për qind të pagës dhe të përfitojë vetëm 1.3 për qind si pension suplementar. Më i thellë bëhet raporti në rastin e profesorëve që punojnë në institucione jo-publike, ku ata derdhin çdo muaj 7 për qind të pagës dhe marrin pension vetëm 1.3 për qind.

Shembulli

Majori A ka aktualisht pagë prej 60 mijë lekësh në muaj. Ai ka 25 vite punë dhe aktualisht është 47 vjeç. Në këtë moment ai lirohet nga detyra. Sipas ligjit që ai të marrë pension të parakohshëm duhet të ketë të paktën 15 vite punë dhe një moshë të paktën 47 vjeç. Të dyja këto kushte plotësohen. Ligji i ri parashikon gjithashtu që pensioni të jetë sa 50 për qind e pagës me një shtesë prej 2 për qind për çdo vit tjetër pune, por jo më shumë se dy pensione bazë dhe shtesë jo më shumë se 20 për qind e pagës. Në këtë mënyrë, majori duhet të përfitojë një pension prej 30 mijë lekësh dhe një shtesë prej 10 vite x 2% të pagës, pra 12 mijë lekë. Por sipas ligjit, pensioni nuk duhet t’i kalojë dy pensione bazë. Aktualisht pensioni bazë është 8640 lekë dhe pensioni i majorit duhet të jetë 17.280 plus shtesën prej 12 mijë lekësh. Pra, majori në rast se del në pension të parakohshëm merr 29.280 lekë pension të parakohshëm. Kjo deri ditën që do të mbushë moshën për pension të plotë pleqërie. Pas kësaj dite, atij pensioni do t’i llogaritet në bazë të formulës klasike të daljes në pension me një shtesë prej 1 për qind për çdo vit pune.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›