E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi i prefekturës, banorët po dëmtojnë linjën elektrike Shqipëri-Greqi



KORÇË – Dëmtimet e linjës ndërkombëtare të transmetimit të energjisë nga Korça drejt Greqisë nga banorët e disa fshatrave ka sjellë reagimin e prefekturës, e cila ka kërkuar nga forcat e rendit që të marrin masa. Prefektura e Qarkut të Korçës bëri një deklaratë dje pas shqetësimit të shprehur zyrtarisht nga Njësia Operative e Shpërndarjes së Energjisë në Korçë, për dëmtimet e herëpashershme që banorë të kësaj zone kanë kryer ndaj shtyllave 400 kV në këtë rajon. Në një njoftim për shtyp, prefektja Elfrida Zefi shprehet se është njoftuar zyrtarisht nga Njësia Operative e Shpërndarjes së Energjisë për dëmtimin e shtyllave të tensionit të lartë dhe se për këtë ka kërkuar bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore dhe policinë që kjo dukuri të mos përsëritet dhe të garantohet furnizimi me energji i rajonit. Në deklaratën për shtyp, Zefi thotë se dëmtimi i shtyllave të tensionit të lartë 400 kV është konstatuar në Komunat Proptisht, Hudënisht, Dardhas, Çërravë në Pogradec, si dhe Vreshtas e Pojan në Rrethin e Korçës, në të cilat banorët kanë konstatuar dëmtime të pjesëve metalike të shtyllave të tensionit të lartë. Sipas Zefit, kjo rrezikon rrjetin energjetik 400 kV Elbasan -Greqi, por edhe shpërndarjen e energjisë për rajonin Juglindor. "Institucioni i Prefektit kërkon ndërhyrjen e menjëhershme dhe zbatimin rigoroz të ligjit ndaj shkaktarëve të këtyre dëmtimeve në mënyrë që këto fenomene të mos përsëriten, në mbrojtje të investimeve të rëndësishme publike", - thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë dje nga Prefektura e Korçës.
Ky institucion ka kërkuar gjithashtu nga Drejtoria Rajonale e Policisë që të merren masa konkrete për mbrojtjen e shtyllave të tensionit të lartë si objekte të rëndësishme energjetike në rajonin e Korçës.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›