E Diel, 1 Nëntor 2026

Varfëria, mbi 9 mijë familje në Tiranë jetojnë me ndihmë ekonomike



Jonida Tashi

Kryeqyteti, megjithëse në pamje të parë të krijon idenë e një qyteti të pasur, është “i mbërthyer” nga varfëria. Familjet e ardhura nga rrethet e tjera të vendit janë ato që po përballen më shumë me këtë fenomen. Niveli i lartë i varfërisë në kryeqytet faktohet nga numri i familjeve të regjistruara që përfitojnë ndihmë ekonomike nga shteti. Mbi 9 mijë familje në kryeqytet mbajnë frymën gjallë me pagesën e përmuajshme të ndihmës ekonomike. Kjo shifër është evidentuar dje nga Shërbimi Social Shtetëror në analizën vjetore të punës. Përsa i përket shtrirjes gjeografike, zonat më të prekura nga varfëria në kryeqytet janë disa njësi bashkiake të Tiranës, Bashkia e Kamzës, Komuna Paskuqan etj. “Rreth 9872 familje në nevojë janë trajtuar me ndihmë të plotë apo të pjesshme ekonomike përgjatë vitit 2008 në Prefekturën e Tiranës”, - kështu, deklaroi dje drejtori i Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), Mihal Naço, në analizën vjetore të këtij institucioni. “Nga 10031 familje që janë trajtuar me ndihmë ekonomike në vitin 2007, në fund të vitit 2008 vazhduan të trajtohen 9872 familje, pra 159 familje më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 1.5 për qind”, - sqaroi drejtori i SHSSH-së.
Reduktimi
Rreth 948 familje që përfitonin pagesën e ndihmës ekonomike në mënyrë abuzive janë përjashtuar nga kjo skemë gjatë vitit të kaluar. Ulja e numrit të familjeve, sipas drejtorit Naço, ka ardhur si rezultat i zbatimit korrekt të ligjit nga ana e njësive vendore të Prefekturës së Tiranës si dhe nga kontrollet e ushtruara nga inspektorët e Zyrës Rajonale. Sipas tij, në Prefekturën e Tiranës nga 9872 familjet e përfshira në skemë, 3859 marrin ndihmë të pjesshme ekonomike, ndërsa me ndihmë të plotë trajtohen 6013 familje. Peshën më të madhe në numrin e familjeve që trajtohen përmes skemës së ndihmës ekonomike e zënë njësitë bashkiake të Tiranës me 3585 familje, Bashkia e Kamzës me 1235 familje, Bashkia e Kavajës me 1532 familje dhe Komuna e Paskuqanit me 723 familje. Sipas drejtuesve të Shërbimit Social, numri i familjeve në nevojë në Prefekturën e Tiranës është më i madh për faktin që në njësitë vendore të Qarkut të Tiranës çdo ditë vijnë familje nga zona të ndryshme të vendit.
Kërkesat
Kërkesat e familjeve të varfra për t’u përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike mësohet se janë të larta. Ky fakt konfirmohet edhe nga drejtori i SSSSH-së që shprehet se në këtë periudhë vazhdojnë kërkesat nga familje që kërkojnë të futen në skemën e ndihmës ekonomike si në Bashkinë e Kamzës, në Njësitë Bashkiake Nr. 11, 6, në Komunat Paskuqan, Krrabë, të cilat nuk plotësojnë kriteret ligjore. Bazuar në analizën e SHSSH-së vlerësohet se ecuria dhe dinamika e programit të ndihmës ekonomike gjatë vitit 2008 ka përforcuar edhe një herë tendencën e uljes së numrit të familjeve përfituese. Sipas SHSSH-së, reduktimi i skemës së Ndihmës Ekonomike është një tregues i përpjekjeve të strukturave të inspektimit dhe pushtetit vendor për parandalimin e përfitimeve abuzive. Administrimi me efektivitet i fondeve të Ndihmës Ekonomike dhe pagesave për personat me aftësi të kufizuar, parandalimi dhe ndëshkimi i çdo forme të abuzimeve me fondet e destinuara për familjet dhe shtresat në nevojë, mbeten në fokus të procesit të inspektimeve të realizuara nga Drejtoria Qendrore e Inspektimit dhe Zyrat rajonale të SHSSH-së.

Të dhënat e analizës vjetore

9872 familje në nevojë janë trajtuar me ndihmë ekonomike përgjatë vitit 2008 në Prefekturën e Tiranës
3859 familje në Prefekturën e Tiranës marrin ndihmë të pjesshme ekonomike
6013 familje në Prefekturën e Tiranës përfitojnë ndihmë të plotë ekonomike
3585 familje trajtohen me ndihmë ekonomike në njësitë bashkiake të Tiranës
1235 familje që marrin ndihmë ekonomike i përkasin Bashkisë së Kamzës
1532 familje përfitojnë ndihmë ekonomike në Bashkinë e Kavajës
723 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike i përkasin Komunës Paskuqan
948 familje, që e përfitonin këtë pagesë në mënyrë abuzive, janë hequr nga skema gjatë vitit të kaluar

Të afërmit që kujdesen për jetimët do të marrin ndihmë ekonomike

Për herë të parë në vendin tonë, fëmijët jetimë, që nuk trajtohen në qendra rezidenciale, por qëndrojë te të afërmit e tyre, do të përfitojnë ndihmë ekonomike. Ministria e Punës ka përfunduar ndryshimet në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, përmes të cilit parashikohet mbështetja me ndihmë ekonomike më të madhe edhe për jetimët. “Me qëllim rritjen e mbështetjes për fëmijët jetimë, kemi parashikuar ndryshime në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, që parashikon për herë të parë mbështetjen me ndihmë ekonomike edhe për jetimët që nuk kalojnë nga qendrat rezidenciale, por mbahen nga të afërm të tyre, pasi vlerësojmë se rritja nga të afërmit dhe pranë komunitetit ndikon pozitivisht në përgatitjen dhe mirërritjen e tyre”, - shprehet ministri i Punës, Anastas Duro. Sipas legjislacionit në fuqi, fëmijët jetimë deri në moshën 15 vjeç trajtohen në institucionet publike të përkujdesit shoqëror. Atyre që, pas kësaj moshe, ndjekin arsimin e mesëm profesional, u garantohet bursë e përmuajshme dhe sistemohen në konviktet e shkollave. Jetimët që nuk vazhdojnë arsimin e lartë, me largimin nga institucionet, trajtohen me pagesë të ndihmës ekonomike nga njësia vendore deri në momentin e punësimit. “Pagesa, edhe pse më e lartë se masa e përcaktuar për kryefamiljarët, është e pamjaftueshme për sigurimin e jetesës”, - sqaroi Duro. Sipas tij, prioritet i të gjitha strukturave mbetet krijimi i mundësive për punësim, nëpërmjet mundësimit të formimit profesional falas dhe mbështetjes për punësim nëpërmjet programeve që zbatohen çdo vit për nxitjen e punësimit. Problem për këtë kategori, - theksoi ministri i Punës, - mbetet strehimi pas largimit nga qendrat e përkujdesit që, sipas Statusit për Jetimët, duhet të mundësohet nga njësitë vendore.
e

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›