Sherr me armë mes lazaratasve, në kërkim autori i plagosjes së 32-vjeçarit
GJIROKASTËR – Lazaratasit u rikthehen avazeve të vjetra, duke sjellë shqetësime për banorët e qytetit të Gjirokastrës dhe forcat e rendit. Një zënkë me armë mes disa të rinjve ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, ku ka mbetur i plagosur një 32-vjeçar, ndërsa autori i atentatit me armë zjarri është larguar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 00.15 të ditës së enjte, në lagjen “18 Shtatori” të qytetit të Gjirokastrës. “Në lokalin-pab “Koloseu”, si pasojë e një grindjeje të çastit për motive të dobëta, Lorenc Basha, 24 vjeç, nga Lazarati, ka plagosur me armë zjarri, pistoletë tip “TT”, Krenar Totin, 32 vjeç, po nga Lazarati”, - thonë burimet policore, të cilat shprehen se po punojnë për kapjen e autorit të krimit.
Ngjarja
Që në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë, disa të rinj nga Lazarati kanë shkuar në qytetin e Gjirokastrës në një lokal nate. Ata kanë konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli dhe pas mesnate kanë nisur sherret me njëri-tjetrin. Burimet policore pohojnë se Lorenc Basha, bashkë me dy bashkëfshatarët e tij, E. Skënduli dhe V. Buci, janë zënë për motive të dobëta me Krenar Totin. Pasi kanë shkëmbyer fjalë me Totin, dyshohet se Basha ka qëlluar me armë zjarri ndaj tij, duke e lënë të plagosur në mes të lokalit. Më pas, ai është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas disa minutash ka mbërritur në lokal policia, e cila ka marrë masa për dhënien e ndihmës së shpejtë për të plagosurin.
Kërkimi
Një i plagosur, dy të arrestuar dhe një i kërkuar, të gjithë nga Lazarati. Ky është bilanci i ngjarjes së djeshme që tronditi klientët e pab-it, por edhe banorët e zonës përreth lokalit në qytetin jugor. Sipas policisë, në momentin e sherrit kanë qenë të ulur në një tavolinë me Lorenc Bashën edhe dy persona të tjerë, E. Skënduli dhe V. Buci, po nga fshati Lazarat. Kur janë marrë në pyetje nga ana e policisë, ata nuk kanë dëshmuar duke konsumuar kështu veprën penale “moskallëzim i krimit”. Për pasojë, ata janë arrestuar. Krenar Toti ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë e markës “TT”, model 56, me fishekë në folenë e fishekut dhe një krehër me një fishek, si dhe gëzhoja. Nga ana e policisë janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të E. Skëndulit dhe V. Bucit i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “moskallëzim i krimit”. Ndërsa për Lorenc Bashën është ngritur akuza “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
16 Janar 2009