Dhuna në universitete, studentët kërkojnë psikolog
VLORË - Këshilli Studentor i Universitetit të Vlorës ka dënuar aktin e kryer më 12 janar, ku u plagos një student nga kolegia e tij. Përmes një deklarate për shtyp ata janë shprehur se kjo ngjarje e rëndë ka nxjerr në pah situatën aktuale në të cilën ndodhet rinia në Vlorë dhe veçanërisht studentët. Ata kanë bërë përgjegjës Universitetin, i cili, në strukturën e tij, nuk ka një psikolog që të konsultojë të rinjtë. Sipas tyre, incidente të tilla ndodhin edhe për shkak të angazhimit të pakët të Rektoratit në organizmin e aktiviteteve përfshirëse për studentët. Deklarata e dhënë dje në konferencën për shtyp thekson faktin se “vitet e fundit, ndikuar edhe nga kushtet social ekonomike, po shihet një rritje drastike e rasteve të përdorimit të drogës, vetëvrasjeve, si dhe fenomeneve të dhunës në shoqërinë studentore”. “Sot studentët kanë nevojë të bëjnë gjëra të ndryshme nga kafenetë, pub-et, apo forumet e partive politike”, - thuhet në qëndrimin e Këshillit Studentor të Universitetit. Deklarata përfundon me një apel për këdo që të kontribuojë sadopak në ndryshimin e këtij realiteti. “Pushteti qendror dhe lokal si dhe rektorati kanë detyrimin kryesor për të bërë këtë ndryshim”, - thuhet në njoftimin për shtyp.
Kryepeshkopi Janullatos, “Honoris Causa” i Universitetit “Fan Noli”
KORÇË - Universiteti "Fan.S.Noli" në Korçë i dorëzoi kryepeshkopit Anastas Janullatos, kreut të Kishës Ortodokse në Shqipëri, titullin "Honoris Causa". Vlerësimi i është dhënë klerikut të lartë ortodoks dje, përmes një ceremonie të organizuar në mjediset e tij, në prani të pedagogëve, studentëve, autoriteteve të pushtetit lokal dhe klerikëve të ndryshëm. Ky titull është i pari që Universiteti i Korçës akordon gjatë veprimtarisë së tij në këto vite. Titulli "Honoris Causa" i është dhënë kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos nga senati i Universitetit të Korçës, me motivacionin "Për kontributin e tij të shquar akademik në fushën e teologjisë si dhe për veprimtarinë shoqërore me vlera të mëdha në forcimin e dialogut dhe tolerancës fetare midis qytetërimeve". Rektori i Universitetit, prof as.dr Gjergji Mero, në fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni, theksoi kontributin e kryepeshkopit Janullatos si personalitet i shquar në fushën e teologjisë, si personalitet human, mik i Shqipërisë dhe i Korçës, i cili ka marrë 20 dekorata të ndryshme dhe 15 tituj, akorduar nga universitete e vende të ndryshme në botë për kontributin fetar dhe human. Në vitin 2006, këshilli bashkiak i qytetit të Korçës i ka akorduar kryepeshkopit Anastas Janullatos titullin "Qyetar Nderi". Vetë hirësia e tij u shpreh se "e ndiej veten një qytetar korçar dhe me marrjen e titullit ‘Honoris Causa’ edhe një student i ri në Korçë".
16 Janar 2009