Mjerimi, vetëvaret në degën e kumbullës babai i tre fëmijëve
RUBIK – Kriza financiare dhe mungesa e shpresës për punë dhe burime financiare po rrit në mënyrë drastike numrin e të vetëvrarëve, ku edhe dje një 48-vjeçar, babai i 3 fëmijëve, i ka dhënë fund jetës në mënyrë dëshpëruese. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në fshatin Rrëja e Zezë, në periferi të qytezës së Rubikut. Viktima është shtetasi Anton Prenga. Trupi i pajetë i 48-vjeçarit është gjetur i varur në një kumbull, fare pranë banesës, nga bashkëshortja, e cila ka njoftuar policinë.
Motivi i vetëvrasjes
Shpresa e fundit për të rimëkëmbur gjendjen ekonomike të familjes ka marrë fund pas ndërprerjes së kontratës së punës me kompaninë ndërtuese të autostradës “Rrëshen-Kukës”. Babai i tre fëmijëve i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Rrëja e Zezë, ku ai banonte me familjen. Shtetasi Anton Gj. Prenga, 48 vjeç, u gjet i vetëvarur në degën e një kumbulle te fundi i oborrit të shtëpisë në orët e vona të natës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:00 të ditës së enjte. Bashkëshortja ka dalë në oborr për ta kërkuar, kur ka gjetur bashkëshortin të vetëvarur në degën e një kumbulle. Edhe pse është munduar t'i japë ndihmë, ka qenë i pamundur rikthimi në jetë, pasi ai kishte gjetur vdekjen kohë më parë. Menjëherë ka lajmëruar të afërm të saj dhe policinë, e cila me ekspertë të saj ka këqyrur vendin e ngjarjes duke dalë në konkluzionin se 48-vjeçari ishte vetëvarur, ndërsa e ka dërguar trupin e viktimës në morgun e spitalit në Rrëshen.
Mësohet se familja përjetonte gjendje të vështirë ekonomike, ndërsa prej disa muajsh nga punësimi në kompaninë ndërtuese të autostradës, kishte arritur t'i minimizonte hallet ekonomike.
Statistikat e tmerrit
Viti 2009 ka nisur me një numër të madh të vetëvrarësh për shkaqe të ndryshme. Thuajse çdo ditë ndodh një akt vetëflijues për motive nga më të ndryshme. Këto të dhëna të frikshme u bashkëngjiten statistikave të vitit që lamë pas. Plot 331 shqiptarë kanë vrarë veten nga 1 janari i vitit 2008 deri më 31 dhjetor. Statistikat flasin se më shumë se 150 të tjerë kanë tentuar në mënyra të ndryshme t‘i japin fund jetës, por nuk ia kanë arritur. Ajo që bie në sy nga statistikat është edhe shpërndarja gjeografike e vetëvrasjeve. Kështu, qarqet Fier, Korçë dhe Tiranë kanë numrin më të madh të vetëvrasjeve, me diferencë të dukshme nga qarqet e tjera.
Sipas statistikave, të paktën 60 për qind e viktimave të vetëvrasjes janë femra dhe më shumë se gjysma e tyre, nën 30 vjeç. Forma më e përhapur e vetëvrasjes është vetëhelmimi, që është përdorur nga rreth 70 për qind e femrave. Në vend të dytë vijnë vetëvarjet, pastaj armët e zjarrit, ndërsa më të pakta në numër janë hedhjet nga lartësitë (të përdorura përsëri në shumicë nga femrat) dhe vetëvrasjet me armë të ftohta, të përdorura nga meshkujt. Ndonëse ky fenomen është ngritur edhe në debate politike, të cilat janë injoruar nga maxhoranca, ende nuk ka një diskutim publik për situatën dhe mënyrat e zgjidhjes së këtij problemi, por vetëm listohen emra viktimash që si zgjidhje të vetme iu ka mbetur vetëvrasja.
Përgatiti: Albert Gjoka
Mirditë, 15 janar
Gjendet i vetëvarur Anton Doda në Rubik
Korçë, 14 janar
Gjendet i vetëvarur Albert Xhankolli 51 vjeç
Durrës, 13 janar
Vetëvritet me armë 13-vjeçari Bexhet Biba
Vlorë, 13 janar
Gjendet i vdekur në banesë Ferdinand Bedini, 53 vjeç
Përmet, 13 janar
Gjendet e mbytur në Vjosë Sanije Hasani, 55 vjeçe
Librazhd, 13 janar
Gjendet i varur në banesë Albert Allhidri, 19 vjeç
Korçë, 12 janar
Vetëvaret në qeli Bashkim Muçka, 48 vjeç
Kukës, 12 janar
Gjendet i vdekur në banesë Kapllan Billa, 45 vjeç
Përmet, 10 janar
Gjendet i vetëvarur Orgert Ramadani, 22 vjeç
Korçë, 10 janar
Var veten i paralizuari 63-vjeçar Andrea Kabashi
Durrës, 7 janar
Vdes nga vetëhelmimi Selami Rexhepi, 40 vjeç
Durrës, 6 janar
Gjendet i vetëvarur Xhevahir Vata, 32 vjeç
Shkodër, 5 janar
Vetëhelmohet S. B., 16 vjeç dhe lë një mesazh
Tiranë, 6 Janar
Gjendet e vetëvarur në banesë Elisabeta Hasa
Tiranë, 2 janar
I vë zjarrin banesës dhe vdes Daut Sulejmani
16 Janar 2009