Universiteti i Tiranës, gati projekti për krijimin e kampusit universitar
Rektorati i Universitetit të Tiranës ka gati projektin për krijimin e kampusit universitar, i cili është premtuar shumë kohë më parë. Fusha ekzistuese e sportit, pranë Kinoklubit në territorin e Qytetit Studenti, do të jetë dhe vendi i ndërtimit të këtij kampusi. “Ky është ambienti ku është parashikuar projekti, është fusha ekzistuese, terrenet sportive të universitetit që tashmë përdoren për parkingje. Ky projekt është përgatitur nga ne. Aty ka një qendër mësimore me kapacitet 10-12 mijë studentë, bibliotekë. Pra, është bërë një projekt modern dhe këtë mund ta shikosh vetëm në kampuset universitare në Amerikë”, - shprehet rektori i Universiteti të Tiranës, Dhori Kule. Gjithashtu, Kule ka deklaruar se krijimi i këtij kampusi do të zgjidhë përfundimisht të gjitha problemet e infrastrukturës në arsimin e lartë për kryeqytetin. Rektori i UT-së sqaron se në rast se ky projekt do të shpallet fitues mes projekteve të tjera dhe merr miratimin e Këshillit të Ministrave, ai do të mund të zbatohet në terren brenda tre vjetësh.
16 Janar 2009