E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku nga shembja e pallatit, largohen me dhunë 56 banorët



BULQIZË- Një pallat 4-katësh në qytetin e Bulqizës ka pësuar shembje në pjesën e pasme të tij, gjë që ka sjellë edhe zhvendosjen e të gjithë banorëve. Sipas burimeve të policisë, pallati mund të shembet totalisht nga momenti në moment, duke rrezikuar jetën e 56 banorëve që jetojnë në të. Për të shmangur një tragjedi të mundshme, policia ka larguar me forcë të gjithë banorët e pallatit të cilët nuk kanë pranuar të largohen nga shtëpitë e tyre. Kryetari i Bashkisë së qytetit të Bulqizës, Roland Keta, ka thënë se një pjesë e murit të katit të dytë të pallatit është shembur ditën e enjte, rreth orës 10:00. Sipas tij, ky pallat është i papërfunduar, dhe ka qenë i destinuar për t’u shndërruar në një hotel. “Banorët që jetonin në të kanë hyrë pa lejen e Bashkisë brenda ambienteve të kësaj godine në vitin 1996”, - ka thënë Keta. Ndërkohë mësohet se është mbledhur Shtabi i Emergjencave i Ministrisë së Brendshme për t’u interesuar për banorët. Sipas kryetarit të Bashkisë, mendohet se shkaku i shembjes kanë qenë ngricat e ditëve të fundit. Aktualisht nuk ka asnjeri në brendësi të pallatit, ndërkohë që Bashkia bën të ditur se do të merren të gjitha masat për strehimin e banorëve.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›