E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, klandestinët zhduken mes borës

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Në mes të borës klandestinë drejt Greqisë. Dy burra, bashkë me bashkëshortet, 2 fëmijë të mitur dhe një të afërmen e tyre rezultuan të zhdukur për disa orë ditën e djeshme në kufirin greko-shqiptar. Ata kishin zgjedhur motin e acartë, në temperatura, që shënonin disa gradë nën zero për të kaluar klandestinë në tokën greke edhe pse rrezikuan jetën. Shtatë anëtarët e një fisi, nga fshati Golem i Shkodrës humbën kontaktet me familjarët e tyre për disa orë. Menjëherë u dha alarmi në policitë kufitare të së dy vendeve, derisa u arrit që të gjendeshin të zhdukurit, si dhe 13 klandestinë të tjerë që synonin të futeshin brenda territorit grek. Mësohet nga burimet e policisë se klandestinët ishin nisur që në orët e para të ditës së diel, nga fshatra të Pukës dhe Shkodrës. Mes tyre ndodhej dhe familja e Përparim Calit, 42 vjeç, i cili ndërmori udhëtimin me të shoqen dhe djalin 3-vjeçar, të motrën me të shoqin dhe fëmijën e tyre 5 vjeç si dhe një të afërmen e tyre. Përparimi mësohet se kishte shkelur në Greqi dhe herë të tjera duke përdorur shtigjet ilegale pranë Kapshticës. I vëllai i klandestinit kërkoi ndihmë rreth orës 17:00 të ditës së djeshme, fillimisht në media e më pas në polici, pasi sipas tij nuk kishte më asnjë kontakt me njerëzit që po kalonin tokën greke. Alarmi i parë ka qenë ai i bllokimit të klandestinëve mes dëborës, e cila në pjesën e kufirit është në trashësinë prej gjysmë metri. Me vete klandestinët nuk kanë pasur asnjë mjet ndriçues, në mënyrë që rojet kufitare t’u shpëtonin jetën. Brenda pak minutash, policia Kufitare e Korçës ka nisur kërkimet me komisariatin e Devollit, ndërsa është kërkuar dhe ndihma e kolegëve të shtetit grek. Kërkimet intensive çuan në zbulimin e një grupi prej rreth 20 klandestinësh, në afërsi të fshatit të Kristolopigjisë, fshat i parë grek, rreth 15 km larg Kapshticës. Ata ishin gjetur grupe-grupe, në shtigje të ndryshme, në tentativë për të depërtuar në brendësi të territorit grek. Nga informacionet e para nuk dihej nëse mes tyre ishin dhe 7 familjarët e deklaruar si të zhdukur mes dëborës. Sipas policisë greke, në grupin e të kapurve ndodheshin dhe dy fëmijë të mitur dhe tre gra. Pas marrjes në pyetje ata kanë treguar emrat, duke konfirmuar se bëhej fjalë për të njëjtët persona. Mësohet se rolin e udhërrëfyesit e kishte luajtur vetë Përparimi, i cili e kishte bërë edhe një herë tjetër këtë rrugë dhe e njihte vendin, por terreni shumë i thyer dhe dëbora e kishin vështirësuar orientimin. Në momentin kur po i afroheshin një rruge automobilistike u diktuan nga rojet greke.
Rreth orës 18:35, drejtori i Policisë Kufitare të Korçës, Eduard Caka njoftoi se mes klandestinëve të gjetur ishin dhe ata të kërkuar nga familjarët e tyre. Gjatë mbrëmjes së djeshme, klandestinët janë mbajtur në vendkomandën e policisë, në afërsi të Kosturit.

Policia: Kaluan nga fshati Ponçarë

Drejtori i policisë kufitare në Qarkun Korçë, Eduard Caka ishte në krye të forcave të policisë kufitare shqiptare të ngritur në alarm për të shpëtuar jetën e 7 klandestinëve të rrezikuar. Ai ka marrë dhe njoftimin e parë nga komandanti i policisë së Kosturit, se mes klandestinëve të tjerë ndodheshin dhe të kërkuarit nga familjarët. “Kemi mundur të zbulojmë faktin se rreth orës 12:00 të ditës së sotme një grup klandestinësh nga Shkodra dhe Puka kanë hyrë në thellësi të tokës greke nëpërmjet shtegut në afërsi të fshatit Ponçarë. Ne komunikuam me drejtorin e Policisë të Kozanit dhe drejtorin e Policisë të Kosturit, të cilët intensifikuan punën e tyre në kërkim të klandestinëve tanë. Verifikimi i identitetit të klandestinëve të kapur dje zbardhi faktin se 7 klandestinët tanë ndodheshin mes tyre”, pohoi Caka. Rasti i bllokimit të 20 klandestinëve shënon rastin e parë të këtij viti e njëkohësisht të parin pas rënies së madhe të temperaturave.

Precedenti/ Shtatë rrezikuan jetën

Më 6 prill të vitit 2007, 7 të rinj shpëtuan për mrekulli nga vdekja. Ata ishin nisur klandestinë, por u gjetën gjysmë të ngrirë në malet që ndalin vendin tonë me Greqinë. Të rinjtë nga fshati Kallm i Vogël i Fierit duke menduar se bora kishte shkrirë zgjodhën malet mbi fshatin grek të Grevenasë, por një stuhi dimri i kishte zënë të papërgatitur. Familjarët në fillim dhe më pas edhe policia greke e shqiptare nuk mund të komunikonin me ta nëpërmjet telefonave celularë për faktin se këtyre të fundit u kishin rënë bateritë. Me shumë vështirësi policia greke mundi të hyjë në lidhje dhe të përcaktojë afërsisht vendndodhjen. Klandestinët arritën të ndiznin zjarre për të tërhequr vëmendjen e policisë, derisa helikopteri që po i kërkonte pikasi flakët sinjalizuese. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike helikopteri nuk u ul, por forca të ushtrisë e policisë u ngjitën në këmbë në mal, derisa i gjetën të rinjtë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›