I ftohti i merr jetën 50-vjeçarit
RRESHEN - Gjendet pas tri ditësh 50-vjeçari i mbytur. Ai është gjetur në orët e para të ditës së djeshme në brigjet e lumit Fan i Vogël. Kalimtarë të rastit kanë parë një kufomë njeriu në breg të lumit, fare pranë fshatit Pshqesh të komunës së Oroshit. Familjarët kanë deklaruar se kufoma e gjetur i përkiste Fran Letit. Leti kishte humbur çdo kontakt me njerëzit e tij të afërm prej 3 ditësh, por ata nuk ishin shqetësuar shumë pasi Leti bënte një jetë endacaku dhe zakonisht largohej nga shtëpia e tij, por pas disa ditësh rikthehej 50-vjeçari nuk ishte i martuar dhe jetonte i vetmuar. Lëvizte në zona të ndryshme të rrethit Mirditës, por rikthehej në shtëpi, pa krijuar shqetësime për të afërmit dhe njerëzit me të cilët kontaktonte. Sipas hetimeve paraprake të policisë, Leti mund të ketë rrëshqitur në brigjet e lumit, pasi rruga që të çonte aty ishte e pushtuar nga akulli. Uji i ftohtë dhe dallgët e Fanit mendohet t’i kenë marrë jetën. h.p