E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja dhe djegia e taksistit dyshohet për konflikte pronësie

 

TIRANE- Hetimet për vrasjen e taksistit Ramazan Hyka, duket se kanë mbetur në dy pista, që lidhen me trafiqet e paligjshme dhe konfliktet e pronësisë. Pista e një krimi që mund të ketë lidhje me motive të dobëta dhe pista e një vrasje që dyshohet se ka lidhje me motive pronësie janë dy versionet në të cilat aktualisht po punojnë hetuesit e çështjes. Ndërkaq, pistat e tjera, si ajo e një grabitjeje të mundshme, ka rënë poshtë për hetuesit, por në mënyrë të përkohshme. Kjo pasi sipas tyre një version i tillë mund të hidhet poshtë në mënyrë përfundimtare vetëm nëse gjenden prova të plota për një krim me motive të tjera. Oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve, kanë marrë në konsideratë deri më tani, një krim që mund të ketë si motiv një hakmarrje për motive femrash. Pavarësisht dyshimeve të policisë një version i tillë është hedhur poshtë në mënyrë të vazhdueshme nga të afërmit e familjes së taksistit, të cilët kanë pohuar se 42-vjeçari, Hyka ka qenë njeri me figurë të pastër morale. Për këtë shkak sipas tyre më e mundshme mund të ketë qenë një rast grabitjeje, ndërsa ai mund të jetë vrarë nga grabitësit. Në pistën e dytë, policia ka ngritur dyshimet e një krimi, që lidhet me një konflikt pronësie. Hetuesit konfirmuan ekzistencën e një konflikti pronësie mes Hykës dhe një pale tjetër për të cilët policia, nuk ka pranuar të japë detaje. Blutë kanë shoqëruar më tepër se 30 persona, që prej të enjtes pasdite kur u gjet taksisti i vrarë dhe i djegur. Shumica e këtyre personave janë marrë nga policia në komisariat për t’u pyetur në cilësinë e personave, që kanë dijeni mbi rrethanat e krimit. Disa taksistë të licencuar, që u shoqëruan për një konflikt të ndodhur rreth një muaj më parë u lanë të lirë nga policia pas marrjes së deklarimeve të tilla. Taksistët janë pyetur në mënyrë të veçantë nga hetuesit në lidhje me momentin e largimit të tij nga vendi, ku ai qëndronte me taksi mbrëmjen e të mërkurës së kaluar. Edhe pse oficerët e krimeve, kanë mundur të marrin një përshkrim të përafërt të personave, që mund ta kenë marrë për një shërbim taksie Hykën, nuk kanë arritur të gjejnë të dhëna të plota. Ky është momenti ku sipas policisë, ka ngecur hetimi ndërsa ata kanë vazhduar me shoqërimin e personave të tjerë dhe me marrjen e deklarimeve të së afërmeve të taksistit për të mësuar sa më shumë të dhëna të mundshme në lidhje me klientët dhe personat me të cilët ai kishte marrëdhënie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›