Grabitësi i vrarë, i dënuar për vjedhje
Dashamir Biçaku
Grabitësi i vrarë mëngjesin e të shtunës në ambientet e servisit “Llanaj” në Tiranë, rezulton të jetë me precedentë penalë në Greqi, ku besohet se ka kryer të njëjtin aktivitet kriminal. Një fakt i tillë, është konfirmuar për gazetën “Panorama”, nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Zyrtarët kanë pohuar, se 31-vjeçari nga Puka me banim në Unazën e Re ka pasur precedentë të mëparshëm penalë për grabitje. Të njëjtat burime pohojnë se më parë, viktima, Pjetër Pjetri, ishte ndaluar dhe arrestuar nga organet greke të drejtësisë me akuzën e vjedhjes dhe grabitjes. Madje, sipas policisë viktima ka qëndruar një periudhë prej disa vitesh në një nga burgjet e këtij vendi, deri në vitin 2006, kur ka përfunduar dënimin.
Grabitësi
Të njëjtat burime kanë pohuar se 31-vjeçari, që mbeti i vdekur në dhomën e fëmijëve të biznesmenit Feim Llanaj ka qenë i dyshuar edhe në Shqipëri për vepra kriminale kundër pasurisë. Gjithsesi, pavarësisht tendencave të tij, deri të shtunën në mëngjes, policia nuk e kishte ndaluar më parë krime në Shqipëri pas kthimit nga Greqia. Pas përfundimit të dënimit në Greqi në vitin 2006, ku ai ka vuajtur disa vite për krimin, autoritetet greke e kanë deportuar në Shqipëri. Kjo për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt për qëndrim në Greqi, së cilës i është shtuar edhe arsyeja e krimit të kryer. Burimet e policisë kanë pohuar se pas mbërritjes së tij në Shqipëri, ka qenë i papunë në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk ka pasur një vend pune stabël. Për këtë shkak sipas burimeve të policisë, ai për një kohë të konsiderueshme ka qenë në mbikëqyrje për ngjarje të ndryshme ku besohej se ishte implikuar. Burimet e policisë kanë pohuar se më parë viktima ka qenë i dyshuar për një rast tjetër vjedhjeje me dhunë, por ndaj tij nuk ka pasur informacione dhe prova të mjaftueshme.
Bashkëpunëtori
Pjetër Pjetri, personi që u vra në banesën e biznesmenit Feim Llanaj, nuk ka qenë i vetëm në kryerjen e tentativës së grabitjes të shtunën në mëngjes. Policia ka konfirmuar se në këtë ngjarje nuk kanë qenë tre persona siç u dyshua më parë, por vetëm dy. Njëri, është pikërisht i vrari Pjetër Pjetri, ndërsa tjetri grabitës dyshohet të jetë një shok i ngushtë i tij. Sipas hetuesve, i dyshuar për këtë krim mësohet të jetë një person me moshë 26-28-vjeçare, banues në të njëjtën lagje me viktimën. Ky i fundit banonte në një distancë prej vetëm 200 metrash nga servisi “Llanaj”, në pronësi të Feim Llanajt 40-vjeçar. Biznesmeni, tashmë ndodhet i arrestuar me akuzën e vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme. Policia nuk ka pranuar të bëjë të ditur emrin e të dyshuarit, por burimet pohojnë se dyshimet bien mbi disa persona që po verifikohen.
Policia: Arma ishte e grabitësit
TIRANE- Arma me të cilën është kryer vrasja e grabitësit të shtunën në mëngjes, i është nënshtruar verifikimeve paraprake nga ekspertët e kriminalistë të Policisë Shkencore. Këta të fundit, kanë kryer një ekzaminim të armës, rezultatet e të cilës pritet të hidhen në letër dhe të dorëzohen tek grupi i hetimit të paktën ditën e martë. Nga kryerja e veprimeve paraprake prej specialistëve përkatës, është konstatuar se arma ka gjurmë të gishtërinjve dhe të pëllëmbës së Feim Llanajt. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga vetë pronari i servisit, në banesën e të cilit mbeti i vrarë grabitësi. Policia ka pohuar se nga veprimet e tjera hetimore dhe ekzaminuese kanë provuar paraprakisht se arma me të cilën është vrarë Pjetër Pjetri, ka qenë e viktimës. Arma sipas policisë është marrë nga biznesmeni në përleshje e sipër me grabitësin në një moment, kur atij i ka rënë arma në dysheme. Përleshja sipas burimeve të policisë është zhvilluar në ambientet e dhomës së fëmijëve të familjes Llanaj, ku autori kishte mundur të hynte për të vjedhur në banesë. Menjëherë pas mbërritjes së policisë, tregtari Llanaj, iu ka pohuar hetuesve se armën ia kishte marrë viktimës, të cilin nuk e njihte. Një fakt i tillë ka kaluar në një filtër të hollë verifikimi, që nga pyetja disa herë e biznesmenit e deri tek ekzaminimi shkencor. Konkluzioni me procesverbalin përkatës pritet të mbërrijë të hënën në duart e hetuesve të Tiranës.
Tregtari në gjyq për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes
TIRANE – Ditën e sotme pritet që Gjykata e Tiranës të vlerësojë masën e sigurisë, ndaj Feim Llanajt lidhur me ngjarjen e të shtunës në mëngjes ndodhur në banesën e tij, në Unazën e Re. Provat ndaj tij, mësohet se janë arma me të cilën ai ka vrarë grabitësin, që ndodhej në dhomën e fëmijëve si dhe deklarime të marra gjatë hetimit. Burimet e policisë kanë pohuar se të gjitha rrethanat e ngjarjes së të shtunës në mëngjes janë në favor të tij, por se gjykata duhet të japë vlerësimin e saj mbi ngjarjen. Aktualisht, Zyra e Hetimit të vrasjeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, po punon për zbardhjen e identitetit të personit të dytë të përfshirë në grabitjen e mbetur në tentativë ndaj servisit dhe banesës së biznesmenit Feim Llanaj.