QSU, trefishohen ankesat e pacientëve për mjekët
ZIRINA LLAMBRO
Lumë ankesash në Drejtorinë e Spitalit “Nënë Tereza”. Ndër tre vitet e fundit është regjistruar numri më i lartë i tyre. Plot 1440 të tilla për vitin që lamë pas. Mungesa e barnave, vonesat e mjekëve, moskryerja e analizave, kanë qenë objektet kryesore të pakënaqësive të pacientëve. Pa lënë pas edhe korrupsionin në radhët e bluzave të bardha. Ky është bilanci që vjen nga Drejtoria e QSU. Gjithçka dëshmon se 2008 ishte viti i problemeve madhore për spitalin më të madh në vend. Numri i të sëmurëve që nuk kanë marrë shërbimin e duhur është disa herë më i lartë, nga sa dëshmojnë ankesat. Kjo pasi pjesa më e madhe e tyre mendojnë të zgjidhin me çdo mënyrë hallin që i ka zënë e jo të përplasen në drejtori. Ndërkaq, nga sa bën me dije kjo e fundit, ankesat më të shumta kanë qenë për mungesa medikamentesh, kryesisht në Spitalin Onkologjik, në Kardiologji e Kardiokirurgji e Hematologjisë. Paraqitja e mjekëve me vonesë në Konsulta ka qenë një tjetër shkak për pakënaqësi të të sëmurëve, sidomos të atyre që vijnë nga rrethet. Ndodh rëndom që ata presin për orë të tëra në qendrën e konsultave për një vizitë, por mjekët nuk paraqiten. Kjo ndonëse grafiku është i paracaktuar për bluzat e bardha. Ata e kanë detyrim ta zbatojnë atë. “Ankesa ka pasur edhe për reagentët, pasi nuk janë kryer një sërë analizash të cilat në klinikat privatë kushtojnë shtrenjtë”, bën me dije zyra e ankesave në Drejtorinë e QSU. Specialistët e saj bëjnë me dije se problematike ka qenë situata edhe për medikamentet post operatore në shërbimin e Kardiokirurgjisë. “Shpesh herë kanë munguar vendet e shtrimit nëpër pavijone të ndryshme, por më shumë ky fenomen është ndjerë në shërbimin e Urgjencës së Kardiologjisë”, sqaron zyra e ankesave. Sakaq të sëmurët që bëjnë hemodializë, duket se kanë vuajtur pasojat më të mëdha. Në këtë shërbim thuajse ende mungojnë shiringat, ilaçet e deri tek filtrat aq të nevojshme për pastrimin e gjakut me aparaturën përkatëse. Kanë qenë të afërmit e këtyre pacientëve ata që kanë ngritur këtë problem në drejtorinë e spitalit. “Mungesa e filmave në shërbimin e Imazherisë ka qenë një tjetër problem për të cilën të sëmurët kanë pasur jo pak pakënaqësi”, sqaron zyra e ankesave të spitalit. Por ndonëse deri diku drejtoria mundohet të mos flasë për to, objekt i ankesave të pacientëve kanë qenë edhe paratë nën dorë që u është dashur t’u japin mjekëve a infermierëve. Burime të sigurta bëjnë me dije se nuk kanë munguar edhe të tillë raste kur bluzat e bardha, pas ankesës në Drejtorinë e Spitalit, janë detyruar t’u kthejnë pacientëve shumat marramendëse që u kishin kërkuar për një ndërhyrje kirurgjikale.
Shkaqet e ankesave
• Paratë nën dorë nga mjekët
• Paraqitja e mjekëve me vonesë në Konsulta
• Mungesa e ilaçeve në spitalin Onkologjik, në Kardiologji, Kardiokirurgji, Hematologjisë, Kirurgji e Përgjithshme, Pediatri, Laboratorë
• Mungesa e reagentëve të analizave
• Mungesa e medikamenteve post operatore në Kardiokirurgji.
• Mungesa e vendeve të shtrimit në pavijone
• Mungesa e filmave në shërbimin e Imazherisë.