Reforma shëndetësore, Vasili: Është fiktive, mungon kuadri ligjor
Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron fiktive futjen e spitaleve në skemën e ISKSH-së. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, ish-ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasili tha dje se kjo reformë, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar 2009, nuk mund të implementohet për shkak të mungesës së kuadrit ligjore. “Që të zhvillohet një reformë, duhet të përgatiten kushtet për ta implementuar atë. Pra, kjo do të thotë, në qoftë se dikush nuk e di koston e një shërbimi, nuk ka pse ta blejë atë dhe nëse nuk ka kuadrin ligjor, që të lejon ta bësh këtë gjë, reforma mbetet në kufijtë e abuzimit dhe të paligjshmërisë. Me këto dy gjëra, reforma bëhet një reformë e paqenë dhe praktikisht inekzistente”, tha Vasili. Ai sjell në vëmendje disa përcaktime ligjore që sot nuk ekzistojnë dhe që duhet të ishin miratuar para se të niste së funksionari skema e ISKSH-së në spitale. “E nesërmja e reformës ka filluar, por ju nuk do të gjeni asgjë të re, nëse do të kemi struktura të ministrisë, a do të kemi struktura të sigurimit të shëndetësisë, a do të kemi një fond shtesë, apo të njëjtat para që kemi pasur deri vjet do rindahen në mënyrë të ndryshme? A do të kemi, më në fund, sistemin e bashkëpagesës, pra një ndërhyrje kirurgjikale, që ka një çmim të caktuar dhe Instituti i Sigurimeve paguan një pjesë, qytetari që do të paguante 50 mijë lekë të vjetra dhe nuk do të paguante asgjë tjetër, a do të kishte garancinë e shërbimit me standarde minimale? Dhe e fundit, që të blihet një shërbim duhet të jetë i standardizuar, por asnjë spital nuk është certifikuar dhe standardizuar dhe këtë e thotë institucioni përkatës, atëherë kujt i drejtohet reforma dhe çfarë ble reforma?”, tha Vasili. Sipas tij, “në të gjitha këto raste jemi në kufijtë e fiktivitetit dhe të transferimit të kompetencave fiktive jashtë Ministrisë së Shëndetësisë, e cila fiktivizohet gjithmonë e më shumë”. Për sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, roli i Ministrisë së Shëndetësisë është inekzistent ndërsa ndërmarrja e kësaj reforme nga ISKSH duket se po krijon dy ministri paralele. “Ministria e Shëndetësisë sot ndodhet në një rol periferik, ajo nuk është një lokomotivë e reformës, por është një vagon i ndryshkur në fund të reformës dhe dualiteti administrativ, po pse jo dhe politik, midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore. Krijimi i këtij dualiteti të rrezikshëm midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore krijon në mënyrë të pa rikuperueshme kriza të thella, pra do të kemi krijimin e dy autoriteteve paralele ose e thënë ndryshe krijimin e dy Ministrive Shëndetësie”, tha Vasili. a.l.