E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, lundrimi në Drin me rrezik, mjetet pa kontroll

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

“Udhëtimi ujor në kaskadën e lumit Drin është i rrezikshëm. Nuk mund të lundrosh në tragete apo anije, të cilat prej vitit 1993 nuk kanë bërë kolaudimin teknik, duke mos pasur asnjë siguri për jetën e njerëzve. Duhen marrë masa sa më shpejt, me qëllim që të mos kujtohemi vetëm kur na ndodhin tragjeditë”.
Ky ka qenë mesazhi i diskutimeve gjatë një takimi pune në Këshillin e Qarkut të Shkodrës, që si temë kishte analizën e punës së shtabit të emergjencave dhe marrjen e masave në prag të fillimit të stinës së vjeshtë-dimrit. Në këtë qark, dimri karakterizohet me reshje të shumta shiu dhe dëbore, duke rrezikuar seriozisht qarkullimin e banorëve të zonave veriore dhe verilindore të Shkodrës. Krahas drejtuesve vendorë të qarkut Shkodër, si dhe të institucioneve përkatëse, në takim merrte pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile në shkallë vendi, Alfred Olli. Në fakt, ishte prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, i cili në një takim të organizuar me qëllim analizën e situatës së qarkut Shkodër në raste emergjencës, si dhe marrjen e masave të duhura nga institucionet përkatëse, që e ka pohuar një fakt të tillë. Më tej, ka qenë edhe vetë drejtori i policisë së Qarkut Shkodër, Nikolin Bala, që jo vetëm e ka quajtur situatën aspak normale, por edhe të papranueshme idenë që mjete të tilla transporti për pasagjerë të kenë 15 vite pa u kolauduar. “Ndaj duhet që urgjentisht të merren masat përkatëse për parandalimin e kësaj situate. Ka ardhur koha që organet kompetente të veprojnë konkretisht dhe të mos mbesim vetëm në kuadër të konstatimeve. Në rast të ndodhjes së ndonjë katastrofe nuk përjashtohet nga përgjegjësia asnjë person, duke filluar nga policia e kështu me radhë”, ka përfunduar Bala. Në kaskadën e lumit Drin veprojnë 4 mjete transportuese, tragete si dhe 3 anije e 15 varka, të cilat kryejnë transportin nëpër liqenet e Komanit dhe të Vaut të Dejës. Vlen të përmendet këtu, se banorët e Tropojës si dhe të zonës së Gjakovës në Kosovë, të cilët lëvizin në drejtim të qendrës së Shqipërisë janë më së shumti frekuentuesit e këtij transporti. Pa harruar këtu qarkullimin e një sërë mjetesh transporti të mallrave për banorët e këtyre zonave si dhe të shkëmbimeve tregtare. Por fatkeqësisht është konstatuar, se ato mjete transporti jo vetëm që kanë 15 vite pa u kolauduar, (kolaudimi i fundit i tyre daton në vitin 1993), por ato nuk kanë as licencat e nevojshme për të kryer shërbime të tilla, siç janë transporti i udhëtarëve apo dhe i mjeteve. Drejtuesit në takim kanë dalë në përfundimin se është detyrë emergjente e institucioneve, të cilat e kanë me ligj kontrollimin e këtyre mjeteve të transportit, pasi kur të ndodhë ndonjë e keqe atëherë do të jetë tepër vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›