E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zhvendosja e Sulejman Pashës e papërshtatshme”

 

Zirina Llambro

Për ata që përfaqësojnë realisht tiranasit e vjetër, busti i Sulejman Pashës është komshi në vendin e vet. E thënë më shkoqur, zhvendosja e tij mbi sheshin, ku kanë qenë banjat publike është e papërshtatshme. Tetë vjet më parë, pikërisht kur kryebashkiaku Edi Rama, mori për herë të parë mandatin, shoqata “Tirana”, i propozoi vendosjen e bustit të Sulejman Pashës në vend të bustit të “Partizanit të Panjohur”. Asokohe për këtë propozim, reagimi nga kreu i Bashkisë ishte pozitiv. Por sipas drejtuesve të shoqatës, përbente tabu lëvizja e memorialëve të figurave historike. “Sot që këto tabu janë hedhur pas krahëve, ka vend për korrigjim në vendndodhjen e një pjese të këtyre busteve”, pohon kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai nënvizon se përveç ndryshimit të pozicionit, memoriali i Sulejman Pashës duhet të ridimensionohet. Shpallja e një konkursi do të ishte sipas tij, zgjidhja më e mirë.
Zoti Tafaj, si përfaqësues i tiranasve të vjetër, si e shihni ju zhvendosjen e bustit të Sulejman Pashës në sheshin, kur deri përpara disa muajsh ishin banjat publike?
Do të thosha se nuk është kjo zgjidhja. Busti i Sulejman Pashës, edhe aty ku është vendosur tani është komshi në territorin e vet. E them këtë, sepse pikërisht në vendin ku ngrihet monumenti i “Partizanit të Panjohur”, ai ka ngritur themelet e xhamisë së parë. E nëse flasim për një vepër përkujtimore, ajo duhet të qëndrojë tamam aty. Ne si shoqatë në fakt, i kemi propozuar 8 vjet më parë Bashkisë së Tiranës, gjetjen e një vendi më të mirë për bustin e “Partizanit të Panjohur”, patjetër që duhet vlerësuar edhe kjo figurë dhe në vend të saj të vendosej busti i Sulejman Pashës. Ky propozim u pa pozitivisht në atë kohë dhe na u tha, se do të shihej si opsion. Por për të qenë të sinqertë, 8 vjet më parë ishte akoma tabu lëvizja e busteve. Tani gjërat kanë ndryshuar. Kanë ndryshuar vendndodhje një sërë figurash historike edhe në rrethe. Meqenëse ka ndodhur kjo, mendoj se ka vend për korrigjim, aty, ku le të themi janë bërë gabime.
Pra, ju thoni se aktualisht busti i Sulejman Pashës është në vend të papërshtatshëm?
Siç jua thashë, është komshi në vendin që i takon. Është jashtë territorit të vet për ato gjëra nga të cilat mbahet mend. Pra, pikërisht për hedhjen e gurëve të parë të një xhamie një furrë e një hamami, në sheshin ku qëndron busti i “Partizanit të panjohur”. Dua të ndalem edhe këtu, vetë fjala i panjohur besoj se nuk prish ndonjë punë, që kjo përkujtimore të vendoset në një tjetër vend, pse jo edhe në një vend më të mirë. Ndoshta në të ardhmen hapja e shesheve të reja do ta mundësojë këtë gjë. Ndërsa Sulejman Pasha meriton të qëndrojë në atë vend. Siç i ka hije qytetarisë duhet ndërhyrë në këtë drejtim.
Sipas jush, po në kryqëzimin pranë 9 katësheve, ku ishte më parë, ndodhej në vendin e duhur?
Jo, mendoj se edhe i vendosur aty përbënte problem. Në fakt, dua të ndalem në këtë pikë. Mendoj se komplet busti i Sulejman Pashës duhet të ridimensionohet. Kjo në mënyrë që të kemi monumente për të cilat qytetarët e Tiranës edhe ata në mbarë Shqipërinë, të ndjehen krenarë dhe të mos turpërohen. Shpallja e një konkursi për të ridimensionuar figurën e Sulejman Pashës, si një figurë kyçe në themelimin e kryeqytetit, mendoj se do të ishte një zgjidhje mjaft e mirë.
Mendoni se është normale zhvendosja e monumenteve brenda një harku të shkurtër kohor?
Them se të paktën për vendin tonë, që nuk ka pasur plane rregulluese të mirëfillta, që t’i rezistojnë kohës dhe qytetet janë zhvilluar në mungesë të tyre, duhet ndërhyrje. Pra, nëse strukturat përkatëse, siç janë organet e qeverisjes vendore, Këshilli Bashkiak, përfaqësitë e qytetarëve e gjykojnë, se është  gabuar në këtë drejtim, pse jo, le të ketë zhvendosje, nuk përbën asnjë problem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›