Tërhiqet padia e Teqjes: Akuza hoqi sekuestrot
TIRANE – Avokati i Dionis Teqjes, u tërhoq dje në Gjykatën e Tiranës nga kërkesa për kundërshtim të urdhrit të prokurorisë, që kishte vendosur bllokimin e një kompanie të klientit të tij me pretendimin, se kishte lidhje me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Duke tërhequr kërkesën në emër të klientit të tij, avokati Ardian Leka paraqiti një kërkesë me shkrim, në të cilën pohonte se çështja ishte zgjidhur me prokurorinë dhe se përfaqësuesit e akuzës e kishin hequr sekuestron pak ditë më parë. Në këtë mënyrë sipas avokatit, kishte humbur efekti i kërkesë-padisë së dorëzuar në gjykatë. Pas dorëzimit të kërkesës për tërheqje gjykatësja e çështjes Shefkie Demiraj, e cila kishte përcaktuar dje datën e seancës vendosi pushimin e padisë. Tashmë dy padi të tjera që lidhem me çështjen “Fazlliç” ndodhen në duart e gjykatësve kryeqytetas dhe pritet, që të shqyrtohen më datë 30 tetor. Njërën nga ato e ka ngritur “ortaku” i Damir Fazlliç, Erion Isufi dhe tjetrën avokat i serbo-boshnjakut. fa.ma.