FIER/ Babai i Ndriçimit: Duam drejtësi!
FIER - Përcillet për në banesën e fundit viktima e pestë e tragjedisë së Butrintit. Ndriçim Myftari ka mbërritur nga morgu i Sarandës pranë familjes së tij, në fshatin Imsht të Lushnjës. Me lot dhe vaje, familja Myftari ka shoqëruar për në shtëpi arkivolin e birit të tyre, prej nga e kanë përcjellë për në banesën e fundit. Pas pesë ditësh nga mbytja e varkës në Butrint, familjarët e djalit kishin shpresa ta gjenin atë të gjallë, por fati e kishte shkruar rrugën e tij. Shumë familjarë, të afërm të 17-vjeçarit kanë pritur ngushëllime, teksa i ati është shprehur se të paktën tani e di, që trupi i djalit i erdhi në shtëpi, edhe pse i vdekur. “Jam i qetë që të paktën e kam trupin e djalit këtu pranë. Kjo më ngushëllon, ndërsa jam fajtor për nisjen e tij në këtë rrugë pa kthim. Unë doja t’i mbaja këtu me ato pak thërrime që kishim e t’i kisha mirë me shëndet, por duhej të ndodhte kjo dhe me fatin nuk merresh dot. Dua drejtësi! Nuk dua që fatin e djalit tim ta kenë edhe të rinj të tjerë”, shprehet Ylli Myftari. Sipas tij, nëse i biri do të kishte mundësi punësimi, ai nuk do të kishte nevojë pse të largohej. “Janë të rinj dhe e flakin tej jetën në emër të ekonomisë së dobët. Ky është krim!”, ka deklaruar me forcë të madhe Ylli Myftari, pasi ka sjellë në shtëpi trupin e djalit të vet. m.r