E Shtunë, 31 Tetor 2026

Racizmi, italiani masakron 19-vjeçarin shqiptar

 

ITALI – Një shqiptar 19 vjeçar ra pre e dhunës raciste në Itali. Sipas mediave italiane i riu shqiptar, emri i të cilit është Stefan M., është bërë viktimë e urrejtjes raciste të bashkëmoshatarit italian në stacionin hekurudhor të Cogoletos në Gjenovë të Italisë. Policia italiane pohon, se fillimisht dy të rinjtë janë grindur mes tyre dhe më pas 25-vjeçari italian ka goditur në kokë shqiptarin me mbajtësen e hekurt të teleskopit. Stefani, i cili jetonte prej 19 vitesh në Itali, ka rënë në tokë pandenja dhe falë ndihmës së miqve të tij është dërguar në spitalin e San Martinos në Gjenova. Mjekëve u është dashur të kryenin një ndërhyrje kirurgjikale në kokë, por gjendja e tij shëndetësore vazhdon të mbetet kritike. Mjekët pohojnë se shqiptari po mbahet në koma farmakologjike në repartin e neurokirurgjisë. Sipas mediave italiane, ngjarjen e bën më tronditëse fakti, se krimi ishte paralajmëruar. Agresori 25-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur kishte kërcënuar dhe më parë të riun me kombësi jo të njëjtë me të. Italiani ishte skeduar nga policia për disa vepra penale, madje Stefani kishte denoncuar në polici 25-vjeçarin për kërcënime raciste. “Herët a vonë do të të vras shqiptar i ndyrë”, mësohet se kishte kërcënuar ai. Madje pohohet se edhe në momentin kur 25-vjeçari kishte sulmuar me mbajtësen e hekurt të teleskopit adoleshentin shqiptar i kishte bërtitur: “shqiptar i ndyrë”. Tashmë Prokuroria e Gjenovas ka hapur një hetim, i cili drejtohet nga prokurorja Maura Macio dhe që pritet të zbardhë tërësisht këtë ngjarje që ka tronditur opinionin vendas.                   f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›