Vasili: Rama shantazh dhe presione mbi mediat
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për shantazh ndaj mediave në vend. Sipas tij, një veprim i tillë është mjaft i rrezikshëm për të ardhmen e vendit. “Mentaliteti shantazhues i Ramës është një rrezik shumë i madh, qoftë për sot, ashtu dhe për nesër, për një Shqipëri evropiane dhe demokratike”, tha Vasili. Këtë deklaratë, Vasili e bëri pas interesimit të gazetarëve në konferencën e djeshme për shtyp pas deklaratave se kreu i Bashkisë së Tiranës dhe i PS-së bën presione në media për shkrimet dhe titujt e tyre. Të enjten në darkë, në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, në Top Channel, drejtori i Televizionit “Ora News”, Alfred Peza, përmes një deklarate të tij tha se ka pasur presione në mënyrë të përsëritur nga ana e Edi Ramës. “Shqetësimet, ose thënë më thjesht denoncimet publike të drejtuesve të mediave dhe konkretisht ato që bëri dje në emisionin “Top Story” drejtori i televizionit ‘Ora News’, analisti i njohur z.Alfred Peza, janë dëshmi të presionit skandaloz, të turpshëm të censurës së paskrupullt që Edi Rama ushtron mbi fjalën e lirë dhe median e pavarur, ndryshe ndaj medias së pakontrolluar prej tij”, tha Vasili. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, “ky presion është një tentativë e hapur për kufizimin e lirisë dhe demokracisë, i bazuar në klientelizmin politik dhe të aferave që fillojnë me shkatërrimin e Kushtetutës dhe mbarojnë me mbarimin e betonizimit të Tiranës”. Sekretari i LSI-së duke komentuar filozofinë e kryetarit socialist tha se, “është shumë e qartë për këdo se politika e re e Edi Ramës është politika e censurë së vjetër”. “Edi Rama, tashmë i njohur për top-aferat betonizuese të Tiranës, po bëhet edhe shembulli i top-censurës më të madhe në Shqipëri”, tha Vasili. Duke sjellë në mendje ngjarje të dhunshme ndaj mediave në kohën e qeverisjes së parë të Partisë Demokratike, ‘92-‘97 dhe bëri thirrje që tendenca të tilla të parandalohen bashkë me njerëzit që i prodhojnë. “Ne besojmë se edhe anëtarët e ndershëm të PS-së, të cilët kanë përballuar shtypjen dhe presionin e Berishës ndaj fjalës së lirë, që arriti deri në djegien e redaksive të gazetave, janë krejtësisht të papajtueshëm me këtë sjellje të tipit Berisha të kryetarit aktual Rama”, tha Vasili.