Kuotat e grave në Parlament, Topalli mbledh deputetet e rajonit
Me iniciativë të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli janë mbledhur në Tiranë, parlamentaret e shteteve të Ballkanit. Deputetë nga Mali i Zi, Kosova, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia kanë diskutuar sot me koleget e tyre shqiptare, për çështjen e rritjes së përfaqësimit të grave në politikë. Ky takim i organizuar në bashkëpunim me OSBE-në u pa si një mundësi e rritjes së marrëdhënieve mes vendeve të rajonit. Deputetja Valentina Leskaj, nga Kuvendi i Shqipërisë ndër të tjera theksoi, se jemi në një fazë cilësisht të re për të drejtat e grave, duke e sjellë në axhendën e politikës së ditës. Ambasadori i OSBE-së, Bosch u shpreh se: “Në Shqipëri ka optimizëm, se Kodi Zgjedhor do të promovojë një përfaqësim më të barabartë. Një propozim i tillë duhet përshëndetur si një hap i rëndësishëm përpara. Megjithatë, tani ky propozim duhet të përkthehet në më shumë mandate parlamentare për gratë”. Deputetja kosovare Flora Brovina theksoi se: “Rëndësia e dialogut ndërparlamentar të grave, mes të tjerash, qëndron edhe në bashkëpunimin e ndërsjellë, që do të ndihmojë në tejkalimin e ndasive, si dhe në ndryshimin e nocionit të Ballkanit si rajon konflikti. Gratë i kanë përgjegjësitë e tyre në shoqëri dhe këto duhen përdorur”.