E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, vetëvaret 55-vjeçari

 

Dashamir Biçaku

Një 55-vjeçar nga Tirana i ka dhënë fund jetës dje në Tiranë, thuajse në të njëjtën kohë, kur një grua nga Kombinati ka tentuar edhe ajo vetëvrasjen. Policia tha se 32-vjeçarja me iniciale V.S., ka shpëtuar për shkak të ndihmës së shpejtë të dhënë në kohë në Spitalin Ushtarak. Gjatë deklarimeve të saj, ajo u tha hetuesve se ka qenë në gjendje jo të mirë psikologjike, kur tentoi vetëhelmimin, për shkak se kishte të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetën. Ndërkaq, në rrugën “Don Bosko”, një burrë rreth 55 vjeç, ka ndërruar jetë pasi është gjetur i vetëvarur nga të afërmit e tij. Astrit Vokopola, sipas policisë ka gjetur vdekjen edhe pse të afërmit e tij kanë tentuar t’i japin ndihmën e shpejtë. Shkak për ngjarjen, sipas burimeve të policisë ka qenë gjendja jo e mirë ekonomike e familjes Vokopola. Policia ka shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë nr.3 disa të afërm të familjes, të cilët kanë pohuar se e kishin gjetur 55-vjeçarin të vetëvarur në dhomë, ndërsa ishin munduar t’i jepnin ndihmën e parë. Të dy rastet e vetëvrasjes dhe tentativës së vetëhelmimit sipas policisë, janë trajtuar në Spitalin Ushtarak, ku në rastin e parë, gruaja me iniciale V.S., ka mbërritur në gjendje jo të mirë me marrje mendsh, këputje dhe humbje të ndërgjegjes. Mjekët në mënyrë urgjente i kanë dhënë një serum dhe i kanë kryer një lavazh çka duket se ka dhënë efekt. Pas kësaj ndihme gruaja është përmendur dhe më pas gjendja e saj ka nisur të përmirësohet ndjeshëm. Pas disa orë qëndrimi në sallën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak, mjekët toksikologë kanë lejuar gruan të largohet nga spitali. Sipas personelit mjekësor, por edhe vetë dëshmisë së të dëmtuarës për policinë, ajo ka tentuar të helmojë veten me një lëndë që përdoret për të vrarë insektet. Gjendja e gruas sipas burimeve policore, kishte kaluar rrezikun dhe ajo është dashur të përballej me hetuesit e komisariatit nr.6, që kanë kërkuar të dhëna për ngjarjen. E dëmtuara ka pohuar se ajo ishte e divorcuar prej disa vitesh dhe jetonte vetëm me të birin 12-vjeçar. Sipas rrëfimit të 32-vjeçares, shkak për ngjarjen është bërë gjendja e saj e rëndë ekonomike, ndërsa në momentin e tentativës së saj për t’u vetëhelmuar ajo ka qenë e vetme në shtëpi. Pasi policia i ka marrë një deklaratë gruas dhe ka vijuar hetimet e mëtejshme. Në rastin e dytë, atë të vetëvarjes së Astrit Vokopolës, policia pohoi se po heton ngjarjen për të zbardhur motivet e mundshme të saj. Nga deklarimet e marra dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konfirmuar për hetuesit, se rasti ishte vetëvrasje e pastër, ndërsa ende nuk dihen motivet e mundshme të këtij vetësakrifikimi. Sipas informacioneve të mbledhura prej policisë, dyshohet se shkak kanë qenë problemet ekonomike dhe mosmarrëveshjet në familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›