Alarmi, mbarohen flakonet e gjakut
LUSHNJE - Drejtues të Qendrës së Dhurimit të Gjakut, por edhe prindër e të afërm të të sëmurëve talasemikë në Lushnjë japin alarmin për mungesë gjaku. Në ambientet e kësaj banke nuk ka asnjë flakon gjak për t’u ardhur në ndihmë pacientëve kronikë. Qarku i Fierit numëron më shumë se 500 të sëmurë talasemikë, të cilët sipas një grafiku të caktuar, çdo 21 ditë paraqiten në këtë qendër për të marrë gjak. Por tashmë “lëngu jetik” mungon. Çdo ditë e më shumë shtohen kërkesat për gjak. Sipas mjekëve, dhurimi në këtë periudhë është shumë i pakët, gjë që po vë në rrezik jetën e 70 talasemikëve më emergjentë. Drejtori i qendrës, Mehmet Xhindole u shpreh se, ka ardhur koha që ky problem të merret seriozisht, pasi situata është tepër kritike. Sipas tij, duhen marrë masa imediate, pasi ka shumë fëmijë, të cilët prej ditësh presin të marrin gjak. “Gjendja shëndetësore e fëmijëve sa vjen e përkeqësohet pasi kalimi i afatit të dhënies së gjakut i bën ata më të dobët dhe aspak rezistentë”, tha ai, duke shtuar se të afërmit e të sëmurëve janë aq të nervozuar nga kjo situatë, sa kanë nisur të kërcënojnë mjekët. m.r