E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet uniforma e re e policisë, zbatohet në 2010

 

Dashamir Biçaku 

Prezantohet modeli i ri i uniformës së Policisë së Shtetit, i cili do të zëvendësojë veshjen aktuale të strukturës, që përbëhet nga 9700 punonjës. Modelet e uniformës së re të policisë shqiptare janë shfaqur dje në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në prani të kreut të këtij institucioni Ahmet Prençi, zëvendësve të tij dhe zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme dhe përfaqësuesve të kompanisë italiane që kanë marrë pjesë në dizejnimin e uniformës së re. Ajo pritet të vihet në përdorim në janar të vitit 2010, kur të ketë përfunduar afati i përdorimit të uniformës aktuale sipas vendimit përkatës të Qeverisë. Vendimi për zbatimin e uniformës së re është shtyrë deri në janar 2010 edhe pse uniforma aktuale shikohet si e pa përshtatshme me qëllimin për të mos shkaktuar dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Sipas zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, në uniformën aktuale, janë vërejtur probleme të ndryshme kryesisht në drejtim të paraqitjes së përgjithshme të saj duke mos ofruar një prezantim dinjitoz për punonjësit e policisë. Po kështu, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se, cilësia e materialeve të përdorura për prodhimin e uniformës aktuale ka qenë me nivel të ulët. Sipas tij, në uniformën e re të prezantuar gjatë ditës së djeshme, ishin eliminuar thuajse të gjithë elementët e kritikuar në uniformën e vjetër, që kishin të bënin me kompozimin e dizajnit, elementëve përbërës, shenjat identifikuese, gradat stemat dhe prerja e saj. Veshja e prezantuar gjatë ditës së djeshme, parashikon një specifikim më të detajuar të uniformës për të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit, që nga patrullat, oficerët e hetimit të krimeve, forcat speciale, policia Kufitare dhe e Migracionit etj. Në të gjitha rastet, është parashikuar që efektivët e policisë të kenë uniformë për dy pjesë të vitit, atë verore dhe dimërore. Veshjet do të jenë të ndryshme, sipas rolit dhe gradës shkallës së punonjësve që i përdorin ato, ku çdo nivel në hierarkinë e punonjësve do të ketë uniformën përkatëse. Punonjësit e Policisë të aparatit qendror të kësaj strukture, është parashikuar që të kenë këmisha të bardha në uniformën e tyre, duke qenë se ata, është parashikuar të kenë më tepër ngarkesë burokratike në zyra krahasuar me pjesën tjetër të efektivave, që janë të vendosur në terren. Këta të fundit është parashikuar të kenë veshje më tepër të ngarkuara në dimër, duke qenë se do të kenë të bëjnë me kushte të ndryshme atmosferike si shiu, reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta.
Shenjat dhe gardat
Sistemi i shenjave do të jetë i pasqyruar edhe në gradat e punonjësve të policisë, ku ato që tregojnë rolin e mesëm dhe të lartë do të kenë paraqitje ndryshe nga gradat e nivelit të lartë. Kështu gradat nga nëninspektor deri në kryekomisar janë parashikuar të kenë një fushë gri me yje blu, ndërsa në cepin e gradës, shqiponja dy krenare, është e rrethuar nga një dekoracion që i përafrohet kallirit të grurit. Gradat e nivelit madhor kanë të njëjtën paraqitje, por se fusha do të jetë gri dhe yjet me reliev do të jenë të verdhë. Në uniformën e paraqitur dje, binin në sy, një pjesë e mirë e elementëve dhe shenjave identifikuese të policisë, të cilat ishin ndryshuar dhe dizejnuar në mënyrë ndryshe nga ajo aktuale, ku në njërin nga krahët e efektivit ndodhet shenja identifikuese e Policisë së Shtetit, ndërsa në krahun tjetër ajo e drejtimit policor, të cilit i përket efektivi që mban uniformën. Në veshjen e re, sipas drejtuesve u është dhënë rëndësi prezantimit dhe përfaqësimit me dinjitet të vlerave e simboleve kombëtare, historike e tradicionale. Zyrtarët e policisë thanë se cilësia e kërkuar prej hartuesve të modelit të uniformës së re, sa i përket materialit tekstil duhet të jetë në nivele të tilla, që t’i sigurojë mbrojtje dhe lehtësi punonjësit të policisë në ushtrimin e detyrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›