Leskaj-Çekut: Nuk ke deklaruar shkeljet e Pangos
Fabiola Çela
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka ndezur debate mes deputetëve të komisionit të Ekonomisë dhe zyrtarëve të qeverisë. Gjatë seancës së djeshme deputeti demokrat Bujar Leskaj i ka kërkuar kryetarit të KLSH-së se për ç’arsye në raport nuk janë pasqyruar shkeljet që janë kryer në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas Leskajt, në këtë ministri janë kryer një sërë shkeljesh, por çuditërisht këto shkelje nuk janë të pasqyruara në raportin e KLSH për buxhetin faktik të 2007-ës. Por sipas kreut të KLSH, Robert Çeku, ai ende nuk ka dhënë firmën përfundimtare mbi këtë raport. Sipas tij, do të shtohen edhe disa materiale të tjera dhe vetëm atëherë raporti do të jetë i plotë.
Debatet
Prezantimi i raporti të KLSH mbi zbatimin e buxhetit të vitit 2007 është shoqëruar me debate. Deputetët e Partisë Socialiste e kanë cilësuar qeverinë si të paaftë, si për mbledhjen e të ardhurave ashtu edhe për realizimin e investimeve. “Ekonomia për dy vite rresht ka një rritje zero nga të ardhurat në buxhetin e saj. Shqetësim është fakti që buxheti faktik të cilin ne mendojmë se çdo qeveri mund ta përdorë për raste të veçanta, jo vetëm nuk ka sjellë elementë të rinj në ekonominë shqiptare, por përfundimisht ka treguar se buxheti faktik i 2007-ës është më i vogël edhe se buxheti bazë”, është shprehur nënkryetari i komisionit të Ekonomisë dhe njëkohësisht deputet i PS-së, Arben Malaj. Mosrealizimet kapin shifrat prej milionë dollarë, mes të cilave ka edhe shuma të mëdha që nuk janë përdorur nga investimet e huaja. “Ligji i buxhetit të shtetit për 2007 nuk është zbatuar apo është shkelur në 510 milionë dollarë. Po të vijmë pastaj te investimet publike, nga 5,7 lekë në 100 lekë keni arritur në 5,8 lekë për 100 lekë dhe rritja është me 0,1 lekë, ose nga 5,73 në 5,83. Më lejoni t’ju them se te investimet publike, veçanërisht në ato me financim të huaj, është vendosur rekord historik në rënie, 5,1 miliardë nuk ka arritur asnjë qeveri. Dhe keni qenë në plan fillestar të 2007-ës me 33 miliardë”, tha Erjon Braçe, nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së. Por këto janë hedhur poshtë nga ministri i Financave Ridvan Bode. “Investimet e huaja direkte gjatë vitit 2007 patën një rritje prej rreth 80 për qind të krahasuar me vitin 2006. Për sa i përket të ardhurave performimin më të mirë e ka pasur tatimi mbi vlerën e shtuar, e cila ka një rritje prej 13.5 miliardë lekë në krahasim me vitin 2006. Kjo dëshmon për dominimin mbi informalitetin në tërësi të ekonomisë shqiptare. Akcizat janë rritur me 5.7 miliardë lekë gjatë vitit 2007, në krahasim me vitin 2006. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 1. 52 % të PBB–së nga 0/96 që ishin në vitin 2006”, ka thënë ministri. Ndërkohë, sipas tij, gjatë vitit 2007 të ardhurat nga bashkitë dhe komunat nuk kanë qenë në nivelet e duhura. “Të ardhurat që kanë shfaqur një problematikë gjatë vitit 2007, janë të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor. Ato kanë një deficit prej rreth 4 miliardë lekësh. Janë realizuar në masën vetëm 70 % dhe kjo bën që të kemi një nivel jo fort të mirë në realizimin e të ardhurave”, ka shtuar ai.